Një kuzhinier rus, i cili ka jetuar në Francë për 14 vjet, është arrestuar me dyshimin se ka komplotuar me një fuqi të huaj për të organizuar akte “destabilizimi” në shkallë të gjerë gjatë Lojërave Olimpike në Paris.
40-vjeçari u arrestua gjatë një bastisjeje në banesën e tij në qendër të Parisit të dielën, ku thuhet se u gjet një dokument i lidhur me një njësi elitare të forcave speciale ruse që vepronte nën komandën e FSB-së, një trashëgimtar i KGB-së, transmeton klankosova.tv.
Një hetim gjyqësor është hapur mbi akuzat për ndarjen e “inteligjencës me një fuqi të huaj me qëllim provokimin e armiqësive në Francë”, një krim i dënueshëm me 30 vjet burgim.
Komploti i dyshuar sipas The Guardian, nuk besohet të ketë qenë i lidhur me terrorizmin.
Ceremonia ambicioze e hapjes së Parisit 2024 do të organizohet në brigjet e Seine të premten në mbrëmje dhe prej kohësh ekziston shqetësimi se Rusia mund të kërkojë të ndërhyjë në ngjarje.
Prokurorët në Paris thanë se kontrolli i banesës së shtetasit rus ishte kryer me kërkesë të Ministrisë së Brendshme Franceze.
Sipas njoftimeve të dhëna për mediat franceze, agjentët gjetën prova që sugjeronin se burri po përgatiste një “projekt në shkallë të gjerë” që mund të kishte pasur pasoja “serioze” gjatë tre javëve të lojërave.
Gazeta franceze, Le Monde, raportoi se shërbimet e inteligjencës kishin dëgjuar një telefonatë dy muaj më parë midis individit dhe një punonjësi të shërbimeve të inteligjencës ruse, në të cilën i dyshuari kishte deklaruar se “francezët do të kenë një ceremoni hapjeje siç nuk ka qenë më parë”.