Ky është Visart Cengu, 31 vjeçari i cili u vra me armë zjarri në orët e para të mëgjesit të sotëm jashtë një lokali në Prizren. Mësohet se i riu jetonte në Francë ndërsa ishte kthyer në vendlindje për të festuar vitin e ri.
Ai ishte me origjinë nga fshati Shtiqen i Kukësit. Sipas burimeve të Nacionales, ai nga viti 2005 ishte zhvendosur nga fshati për në qytetin e Kukësit bashkë me familjen.
Por që një kohë Cengu ishte zhvendosë për në Francë.
Ai ishte vëlla i dy motrave.
Si ndodhi rasti?
I dyshuari kryesor sipas hetuesisë besohet të jetë kosovari Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si Kobra. Bashkë me Dibranin janë edhe pesë persona të tjerë që po intervistohen nga Policia.
Për Nacionalen detaje për këtë ngjarje ka dhënë prokurorja e rastit.
Sipas prokurores së rastit Nazan Shero i dyshuari Dibran Hoxhaj bashkë me disa të tjerë po e vazhdojnë intervistimin në stacionin e Policisë në Prizren.
“Jemi në hetime e sipër. Ende nuk kemi asgjë konrete. Të gjitha veprimet hetimore jemi duke i ndërmarrë. Nuk mundem asgjë tjetër me iu konfirmu. Të gjithë ata që kanë qenë prezent, edhe Dibrani edhe të tjerët janë duke u intervistuar. Ekspertiza do të tregojë se si u vra”, ka thënë Shero për Nacionalen.
E tutje si pasojë e sherrit që besohet se nisi në lokalin ku besohet se Kobra është pronar, u plagos edhe një person tjetër i moshës 27-vjeçare.
Intervistimi i Kobrës po vazhdon edhe në këto momente në stacionin policor të Prizrenit.
Policia: Intervistimi i disa personave po vazhdon ende
Këtë ia tha Nacionales togeri i Prizrenit Shaqir Bytyqi.
“Intervistimi po vazhdon. Pos Dibranit janë edhe disa persona të tjerë që po intervistohen në Stacionin Policor të Prizrenit”, tha Bytyqi për Nacionalen.
Nga Policia e Kukësit tregojnë për Nacionalen si nisi sherri
E nga Policia e Kukësit i thanë Gazetës se si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar”, thotë zëdhënësja e Policisë së Kuksit, Diana Deda për Nacionalen.
Ajo thotë se në momentin kur tashmë viktima e i plagosuri po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. “Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit. Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thotë Deda.
Kush është Kobra?
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” është emër i njohur për policinë.
Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë disa nga veprat penale, për të cilat Dibran Hoxhaj apo i njohur ndryshe me pseudonimin “Kobra”, është dënuar dhjetwra herw.
Ai në shtator 2022 ishte dorëzuar në polici pas tre ditësh që ishte në kërkim.