Hetimi me masa të fshehta që ka nisur rreth një muaj më parë lidhur me një rast të shantazhit që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj ka rezultuar me sigurimin e provave për përfshirjen e një 34-vjeçari në këtë rast.
I dyshuari, i cili është pronar i disa faqeve që merren me lajme ka përfunduar në prangat e Policisë, gjatë ditës së mërkurë, raporton Gazeta Sinjali.
Kush është i dyshuari dhe cilat janë detajet e rastit,
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që ishte objekt hetimi lidhur me këtë rast është Tafil Smajli, i cili menaxhon portalet “Prishtina Sot” dhe “Skenderaj Press”.
Smajli u arrestua nga policia rreth një muaj pasi u denoncua nën dyshimet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kushtëzuar viktimën duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një materiali që ka poseduar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije bëhet fjalë për një video, që prish imazhin dhe integritetin e viktimës, për të cilën Smajli dyshohet se kishte kërkuar hiç më pak se 10 mijë euro që mos ta publikojë në faqet e tij.
Pas raportimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku ndër të tjera janë aplikuar edhe masat e fshehta, që çuan në arrestimin e të dyshuarit.
I njëjti është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.