Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, në protestën e 29 majit në Zveçan. Sipas policisë i arrestuari është N.O., me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa, mediat lokale kanë zbuluar se bëhet fjalë për Nenad Orlloviqin dhe ai është arrestuar në vendin e tij të punës, në një autolarje në Mitrovicën e Veriut. Atij i janë publikuar edhe fotografi nga media serbe dhe shqiptare.