Ky është pronari i kompanisë në Prishtinë që ra pre e hakerëve, humbi 190 mijë euro

Policia e Kosovës dje ka bërë të ditur për një rast të ‘mashtrimit kompjuterik’ në Prishtinë, lidhur me një transferim bankar.

Rasti kishte ndodhur në rrugën “Kadri Zeka” në Prishtinë, më 14 mars 2025 në ora 16:00.

“Mashtrim kompjuterik… Më 19.03.2025 ankuesi mashkull kosovar, pronar i një kompanie ka raportuar se me datën e lartcekur kishte rënë preh e një mashtrimi kompjuterik lidhur me një transferim bankar. Sipas ankuesit ai ka kërkuar realizimin e një transferimi  ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Ndërsa siç raporton sinjali, biznesmeni që ra pre e këtij mashtrimi është Bujar Guci, pronar i kompanisë “Unisolar LLC”, i cili ka humbur hiç më pak se 190 mijë euro përmes një transferi bankar të manipuluar nga mashtrues kibernetikë.

Tutje thuhet se Guci kishte iniciuar një pagesë ndërkombëtare nga “Raiffeisen Bank” në drejtim të kompanisë “Jinko Solar”. Megjithëse transaksioni fillimisht ishte sinjalizuar si i dyshimtë nga banka, ai ishte miratuar me pakujdesi nga vet pronari.

Dosja e rastit thotë se fondet u transferuan përmes bankës ndërmjetësuese “Deutsche Bank” dhe përfunduan në një llogari të “UniCredit” në Gjermani.

Por, dyshimet për mashtrim lindën më 17 mars, kur Guci vërejti se pagesa nuk ishte bërë në llogarinë zyrtare të kompanisë “Jinko Solar”, por në një llogari private në emër të një personi të panjohur. Pas kontaktit me zyrtarët e “Jinko Solar”, u konstatua se biznesmeni ishte viktimë e kësaj skeme mashtrimi.

Sipas të njëjtave burime, mashtruesit kanë manipuluar adresat e e-mailit, duke krijuar kopje të ngjashme me ato të “Jinko Solar” dhe kanë arritur që të kapin paratë në mënyrë të kundërligjshme.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësit kompetente policore.