Fjalimi i sotëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar opinionit serb lidhur me largimin e dinarit serb nga transaksionet monetare në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e mediave në rajon.
Në Kosovë të enjten ka hyrë në fuqi Rregullorja e i Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që pagesat dhe transaksionet monetare të bëhen ekskluzivisht në euro, gjë që rriti shqetësimin e komunitetit serb në Kosovë, sepse ata marrin paga dhe pensione nga Serbia në dinarë, shkruan “Danas”.
“Jutarnji.hr” shkruan se “Vuçiq është tërbuar”.
“Serbia do të kërkojë një seancë të urgjente të Këshillit të Sigurimit për shkak të vendimit të Kosovës për heqjen e dinarit në transaksionet e pagesave”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe duke e cilësuar vendimin “kriminal”, vlerësoi se qëllimi i tij ishte spastrimi etnik i serbëve, raporton portali kroat.
Vuçiq u tha sot gazetarëve në një fjalim publik se “vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për largimin e dinarit serb nga sistemi i pagesave në Kosovë paraqet goditjen më të fortë deri më tani dhe kërcënimin e persekutimit dhe dëbimit të serbëve”.
“Slobodna Bosna” raporton se Vuçiq ka thënë se të hënën Serbia do të dorëzojë me shkrim kërkesën për mbajtjen e seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit euro është valuta e vetme e pagesës.
Vuçiq theksoi se e dinë se ky nuk është fundi dhe se shpreson që të mbahet një seancë ë veçantë e KS të OKB.
Portali malazez “CDM.me” raporton se, sipas Vuçiqit, nuk do të ketë bisedime ndërmjet Bankës Popullore të Serbisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës për atë temë dhe se Prishtina kur i kërkon ato bisedime, në fakt kërkon njohje.
“Ne besojmë se regjimi i Kurtit do të vazhdojë me pengesa dhe mashtrime të reja”, tha presidenti i Serbisë.
“Index.hr“, duke cituar presidentin e Serbisë, shkruan se shteti i Serbisë paguan 31,831 rroga të punëtorëve në Kosovë, 29,115 pensione, pagesa sociale për 31,586 përfitues dhe 2,430 bursa.
Kosova, me Rregulloren e BQK-së insiston që të gjitha pagesat me para të gatshme dhe transaksionet monetare të kryhen ekskluzivisht në euro, me këmbimin e zakonshëm të valutave përmes sistemit bankar dhe financiar.