Latifi: Qeveria e re në Maqedoni të Veriut ka zgjedhur të afrohet me Serbinë

Profesori i filozofisë dhe komentatori politik, Blerim Latifi, ka reaguar pasi ka filluar fshirja e gjuhës shqipe nga tabelat e sinjalistikës rrugore në Maqedoni të Veriut, derisa e a ka akuzuar qeverinë maqedonase se po “afrohet me Serbinë” dhe po i “diskriminon shqiptarët”.

“Të poshtëruar në jug nga Greqia, e cila i detyroi të ndryshonin emrin e shtetit; të kushtëzuar në lindje nga Bullgaria, e cila u kërkon të njohin me kushtetutë komunitetin bullgar në Maqedoni, sllavët maqedonas, për të gjetur një pikë ngushëllim, kanë zgjedhur afrimin me Serbinë dhe ringjalljen e diskriminimit të shqiptarëve”, shkroi Lafiti në Facebook.

“Këta të fundit, të dhënë pas anadollizimit masiv dhe të hasmuar politikisht me njëri-tjetrin, përditë e më pak po manifestojnë kapacitete që të rezistojnë në mbrojtje të asaj që patën arritur pas luftës së vitit 2001, se për të avancuar të drejtat kombëtare as që bëhet fjalë”, shtoi.

Profesori Lafiti ka theksuar se të drejtat kombëtare mbrohen e avancohen vetëm në kushtet kur ekziston një vetëdije e fortë kombëtare, derisa ka potencuar se “kur kjo shpërbëhet, bashkë me të humbin edhe brengat për këto të drejta”.

Ndryshe, është obligueshme me ligjin në fuqi që gjuha shqipe të figurojë në këto tabela, por kjo s’ka mjaftuar që të mos largohen të vjetrat dhe të vendosen të rejat, ku figuron gjuha maqedonase, ajo angleze dhe franceze.

Shenjat me gjuhën shqipe janë hequr nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”. Kjo ndërmarrje po i heq shenjat në gjuhën shqipe nga të gjitha rrugët me të cilat menaxhon.

Në ditët në vazhdim, siç ka njoftuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Darko Kostadinovski, do të caktohet mbledhje ku do të shqyrtohet për shfuqizimin e tre neneve të gjuhës shqipe nga Ligji për zbatimin e gjuhëve.

Iniciativa e Kostadinovskit është mbështetur drejtpërdrejt nga VMRO e kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa është arsyetuar edhe nga koalicioni VLEN, të cilët kanë siguruar se nuk shfuqizohet Ligji, por vetëm disa nene.