Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se do të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit.
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili është edhe shef i shtabit zgjedhor, ka thënë se nuk është i mundur një koalicion me PDK-në, pasi që kjo e fundit sipas tij ka rrënuar urat e bashkëpunimit.
Numri dy i LDK-së, nuk e përjashton mundësinë që të ketë koalicion edhe me partitë tjera, dukë përfshirë koalicionin AAK-PSD.
“Kulturën e bashkëpunimit ne do ta vendosim në Kuvend me të gjitha partitë, natyrisht që PDK-ja i ka rrënuar urat e bashkëpunimit, sepse ata e kanë larguar LDK-në dhe rishikuar partneritetin dhe kanë vendosur partner të tyre, por u binden të gjithë që problem është me bashkëpunu me ta. Me partitë të tjera natyrisht do të koordinohemi në nivel agjendash politike, nëse na bashkon agjenda politike, programi politik, ekonomik, social dhe çështje në interes të vendit, ne do të bashkohemi edhe në nivel Kuvendi edhe në nivel ekzekutivi, pse jo”, ka thënë Haziri.
Ndonëse nuk është arritur koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, Haziri thotë se ekziston një derë e hapur që këtë ta bëjnë pas zgjedhjeve.
“Ne kemi hapur një kaptinë bashkëpunimi për dy vitet e kaluara, duke i lënë anash gjërat që nuk na kanë bashkuar dhe tash do të varet krejt prej sjelljes në zgjedhje të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne vullnetin e kemi shprehur përmes deklarimit të Isa Mustafës që përkundër mosarritjes së një marrëveshje për koalicion parazgjedhor, lihet dera e hapur dhe mundësia për bashkëpunim paszgjedhor. Fundja rezultati do të zbardhët me 6 tetor dhe secili do ta sheh vullnetin dhe renditjen e sovranit dhe sipas asaj do të ndërtojmë kulturë bashkëpunimi”, ka thënë Haziri