Komisioni për liritë qytetare, punë të brendshme dhe drejtësi i Parlamentit Evropian, ka miratuar edhe një herë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi një gjë të tillë, para disa javësh, e kishin miratuar edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky vendim ka marrë shumicën e nevojshme në këtë komision parlamentar me 47 vota për, 8 kundër dhe 4 abstenime, shkruan REL.
Në muajin prilll, eventualisht në maj, pritet të miratohet edhe në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Pas kësaj, vendimi do të nënshkruhet dhe botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, do të përmbyllet i tërë procesi formal.
Nuk ka pasur asnjë ndryshim në tekstin e vendimit.
Pra, sipas asaj që ishin marrë vesh qysh në vitin e kaluar përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ky vendim do të hyjë në fuqi në kohën kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), apo jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.