Liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë debatuan ashpër me njëri-tjetrin në sytë e Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili luan rolin e paqeruajtësit mes dy shteteve, që kontestojnë territorin e Nagorno-Karabakh.
Gjatë një takimi të enjten në Moskë, në kuadër të Këshillit Ekonomik Euroaziatik, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ngriti çështjen e korridorit Lachin, rrugës që lidh Armeninë me enklavën Nagorno-Karabakh, që ndodhet brenda territorit të Azerbajxhanit, por popullohet nga armenë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, aktivistë azerbajxhanas nisën të bllokonin rrugën, të cilën Pashinyan tha se duhet ta merrnin nën kontroll trupat paqeruajtëse ruse. “Fatkeqësisht, Azerbajxhani ka bllokuar këtë korridor”, tha Pashinyan gjatë takimit. Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, iu përgjigj: “Azerbajxhan nuk ka bllokuar asnjë korridor… Nuk është nevoja të përdoret kjo platformë për akuza të pabaza”.
Ata vijuan debatin e ashpër për disa minuta para se Putin të ndërhynte për të qetësuar situatën, duke vënë në dukje se çështja kishte ndjeshmëri të lartë. “Do të kemi tani mundësinë, siç kemi rënë dakord, që të flasim për gjithçka me qetësi dhe në mënyrë praktike, në një format trepalësh dhe shpresoj që të arrijmë disa marrëveshje që do të vendosin situatën jo vetëm mes Armenisë e Azerbajxhanit, por në të gjithë rajonin, në rrugën e zhvillimit të dobishëm. Mund t’iu siguroj që të gjithë këtu kanë interes për këtë, absolutisht të gjithë”.
Disa ditë më parë, mediat ruse dhe armene, cituan kryeministrin Pashinyan të thoshte se ishte gati të njihte enklavën e Nagorno-Karabakut, si pjesë të Azerbajxhanit nëse Baku garanton sigurinë e popullsisë së saj etnike armene.
Historia dhe aleancat komplekse, konflikti Azerbajxhan-Armeni i shpjeguar “me dy fjalë”
Nagorno-Karabakh është një krahinë pjesë e Azerbajxhanit, por popullsia është etnikisht armene. Që në vitet 1980, kur të dy shtetet ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, krahina votoi për t’u bërë pjesë e Armenisë, duke ndezur kështu një konflikt që u ndal vetëm me armëpushimin e vitit 1994.
Që prej atëherë, krahina ka mbetur pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet nga separatistët armenë që mbështeten nga qeveria në Jerevan. Deri së fundmi, negociatat janë ndërmjetësuar nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje paqeje.
Armenia është një shtet ku popullsia është në shumicë e krishterë, ndërsa Azerbajxhani ka një popullsi me shumicë myslimane. Turqia ka lidhje të ngushta me Azerbajxhanin ndërsa Rusia i ka me Armeninë, por ka edhe marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin.