“Ky është një moment kritik, nga i cili varet e ardhmja e fëmijëve tonë dhe e shtëpisë sonë të përbashkët”. Paralajmërimi vjen në një deklaratë e përbashkët, event ky i paprecedent, i tre liderëve të Krishtërimit mbi rrezikun e ndryshimeve klimaterike.
Deklarata mban firmën e Papa Françeskut, kreut të Kishës Katolike, kryeipeshkvit të Kanterburit Justin Welby, që mban funksionin honorifik të kreut të Kishës Protestante Anglikane dhe të Bartolomeut I të Kostandinopojës, lideri moral i Kishës Ortodokse.
Liderët religjiozë shpërndanë dokumentin e rëndësishëm dhe historik duke i bërë apel komunitetit ndërkombëtar për urgjencën e qëndrueshmërisë mjedisore dhe impaktin direkt që ndryshimet klimaterike kanë në tema si varfëria.
“Ne i bëjmë thirrje kujtdo, pavarësisht besimit, të marrë mundimin të dëgjojë klithmën e Tokës”, thuhet në deklaratën e përbashkët, që nënvizon si secili duhet të veprojë duke ndryshuar stilin e jetesës duke pranuar sakrifica që cilësohen si të nevojshme.
“Të gjithë bashkë, si kisha, komunitete, qytete dhe kombe, ne duhet të ndryshojmë rrugëtimin tonë duke zbuluar mënyra të ndryshme për të bashkëjetuar, duke ulur përballjen dhe duke pranuar bashkëpunimin”, deklaruan ndër të tjerat tre liderët religjiozë.
Në muajin e nëntorit në Glasgou të Skocisë do të mbahet Forumi për Klimën, ku priten të marrin pjesë liderët kryesorë të botës për të përmbushur premtimet e Marrëveshjes së Parisit për një ulje të ndjeshme të ndotjes atmosferike dhe temperaturave.