Nga Enver Bytyçi
Më 24 mars 1999 presidenti Bill Clinton, duke folur para kombit amerikan shpalli bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë, vs Serbisë, duke arsyetuar në disa fakte. Përveç mënjanimit të zgjerimit të konfliktit dhe krizës humanitare, Clinton theksoi në atë fjalim se këto bombardime kishin si qëllim dobësimin e ushtrisë jugosllave (serbe) në atë masë që ajo të mos ishte më në gjendje të shkaktonte konflikte të tjera në rajon.
Kjo do të thotë se NATO me ndërhyrjen e saj në Kosovë nuk pati si objektiv e synim madhor vetëm çlirimin e saj nga sundimi serb, por edhe krijimin e një balance të re ushtarake në rajon për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë ballkanike e evropiane. Kjo do të thotë gjithashtu se interesi jetik e strategjik i SHBA-ve ishte dhe mbetet një Ballkan dhe një Evropë e paçtë dhe e sigurt.
Por çfarë ndodhi më vonë? Pas gati 22 vitesh nga fjala e Bill Clinton para kombit amerikan, Serbia është rikthyer në të njëjtat politika të prezencës dhe angazhimit ushtarak në rajon, madje me ndihmën e gjithanshme të Rusisë. Gjithkush bën biznes edhe në çështjet e armatimit dhe teknologjisë ushtarake. Por ama gjithkush e di se Moska historikisht ka qenë sponsori kryesor i rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë dhe e tillë mbetet ende në ditët tona. Dhe askush nuk ka arsye të besojë se kjo ndodh thjesht “për ta mbrojtur Serbinë”, siç justifikohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Sepse Serbia nuk ka qenë asnjëherë e rrezikuar nga ndonjë vend tjetër nga pikëpamja e sovranitetit dhe integritetit territorial. Edhe kur më 1 gusht 1914 ajo u sulmua nga Perandoria Austro-Hungareze, ai sulm nuk qe për ta pushtuar Beogradin, por thjesht për t’i dhënë një mësim Serbisë që ajo të mos nxisë ekstremistët serbë të kryenin atentate të llojit çfarë ndodhi më 28 qershor 1914 në Sarajevë me princin austro-hungarez, Franz Ferdinand dhe gruan e tij të ndjerë, Sofia!
Po çfarë po ndodh sot, krahasuar me paraluftën në Kosovë? Serbia është furnizuar dhe vazhdon të furnizohet me avionë luftarakë, tanke, armë të mbrojtjes kundërajrore, antitanke dhe mjete të tjera ushtarake nga Rusia. Instruktorët dhe diplomatët rusë qëndrojnë pranë kësaj ushtrie në çdo kohë e në të gjitha përgatitjet e saj luftarake. Ambasadori rus e shoqëron ushtrinë serbe në marshimin e saj drejt Kosovës. Serbia shpenzon për ushtrinë 1.1 miliard dollarë amerikanë nga 675 milionë që shpenzonte para dhjetë vitesh për ushtrinë. Rritja e buxhetit ushtarak ka ardhur si rezultat i disa marrëveshjeve ushtarake midis Beogradit dhe Moskës. Kryesore është Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Bashkëpunimit midis Rusisë dhe Serbisë e firmosur më 14 tetor 2014 në Beograd midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij serb, Tomislav Nikoliç.
Por jo vetëm kaq. Tri ditë më vonë, më 17 tetor 2014, Serbia nënshkroi një marrëveshje tjetër për ngritjen në aeroportin e Nishit të të ashtuquajturës Qendër Humanitare Ruso-Serbe. Atë marrëveshje e nënshkroi ministri i atëhershëm serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq dhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kësisoj, Serbia u ribë partneri kryesor ushtarak i Rusisë në Ballkan dhe në Evropë me synimin që të dominojë rajonin nga pikëpamja ushtarake dhe të rikthejë fuqinë e saj të para luftës në Kosovë. Buxheti ushtarak vjetor i Serbisë sot është më i madh sesa buxheti ushtarak i të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Vetëm Kroacia bën diferencën me periudhën e luftërave të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, sepse ajo shpenzon tashmë për mbrojtjen rreth 1 miliard dollarë amerikanë.
Armatosja dhe rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë shihet me shqetësim nga kombet e shtetet e tjera të rajonit. Jo vetëm se para dy dekadash ushtria serbe ishte aktive në akte dhune, terrori dhe krimesh kundër njerëzimit e gjenocidiale, sidomos në Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë. Por edhe se ajo është e orientuar në aventurën ushtarake e strategjike drejt Rusisë. Dhe nuk do të duhet aspak mund dhe mend që të kuptohet fakti që aty ku është Rusia, pra edhe Serbia, aty është dhuna, konflikti dhe aty gjenden njëkohësisht shkaqet e destabilizimit të rajonit ballkanik.
Fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar prej mesit të shekullit XIX e këtej, prandaj dhe rajoni I Ballkanit është i ekspozuar ende sot ndaj politikave agresive e destabilizuese të Serbisë. As ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e as politika amerikane e dobësimit të fuqisë ushtarake serbe, nuk mundi ta ndalojë politikën e forcës që ushtron Beogradi sidomos kundër Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi, por me metoda më perfide edhe kundër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Megjithatë, në kushtet e dominimit ushtarak në rajon, përveçse ekonomik e financiar, Serbia është përzgjedhur si partner strategjik nga ana e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Edi Rama. Ai e vizitoi Beogradin vetëm një muaj pasi Vladimir Putin dhe Tomislav Nikoliç nënshkruan marrëveshjen strategjike e ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë. Dhe prej asaj kohe e deri më sot kryeministri i Shqipërisë duket të jetë aleati më i ngushtë dhe më besnik I presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në rajonin tonë! Ende nuk janë publikuar fakte nëse kjo lidhje dhe aleancë strategjike Tiranë-Beograd ka të bëjë ose jo me ndonjë marrëdhënie të fshehtë me Kremlinin të ndërmjetësuar nga presidenti i Serbisë! Por ama e dimë se Edi Rama asnjëherë nuk i ka denoncuar aleancat ushtarake të Serbisë me Rusinë, as edhe qendrën operacionale ushtarake e të shërbimit të fshehtë të Rusisë në Nish! Dimë gjithashtu se kryeministri i Shqipërisë është takuar me presidentin serb po aq herë sa ky i fundit me presidentin rus!