Limaj asesi të pajtohet me humbjen, thotë se kurrë s’ka pasur administrim më të keq zgjedhor në Kosovë

Nisma Socialdemokrate mbajti konferencë për media, nga ku kryetari i partisë Fatmir Limaj tha se ka qenë shumë shqetësuese për këtë subjekt mbarëvajtja e gjithë procesit zgjedhor.

“Nuk ka pasur kurrë në Kosovë zgjedhje me një administrim më të dobët”, u shpreh ai ndër tjerash, transmeton Koha.net.

Përkundër kësaj, Limaj se përmendi si herëve të tjera “pragun”.

Ka akuzuar KQZ-në për gabime të shumta e shkelje gjatë gjithë procesit zgjedhor.

“Ne do t’i denoncojmë të gjithë shkelësit e ligjit”, tha ndër tjerash Limaj.

Limaj tha se KQZ-ja e ka humbur integritetin e procesit zgjedhor.

“Sa ishte në dorën e qytetarëve shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, problemet u shfaqën në administrimin e procesit të votimit. Një nga problemet që u shfaq ishte formulari, kishte defekte serioze dhe krijuan probleme zinxhirore. Për shkak të kësaj KQZ-ja mori vendim të rinumërojë mbi 800 kuti, ne kërkuam të bëhet rinumërimi i plotë dhe kjo çështje të përmbyllej. KQZ-ja ishte më tepër e shqetësuar për integritetin e institucionit sesa procesit zgjedhor, ajo me këtë e ka vë në pikëpyetje të gjithë procesin zgjedhor. Procesin e ka përcjellë papërgjegjësia dhe njëanshmëria, si asnjëherë më parë. Neglizhimi nga ana e KQZ-së për vendimmarrje e ka degraduar integritetin e saj. Ky organ gjatë këtij procesi ka qenë në situatë kaotike”, tha Limaj.