Kreu i NISMA-së, Fatmir Limaj, në seancën e sotme të Kuvendit ku po flitet për raportet e Kosovës me SHBA-në, ka thënë se roli i Qeverisë dhe një prej detyrave kryesore është thellimi i miqësive dhe kultivimi i aleancave.
Tutje Limaj ka thënë se koalicioni LDK-Vetëvendosje nuk janë unik sa i përket vendimeve që duhet të merren.
Ai thotë se koalicioni qeverisës nuk po flet me një zë.
“Kosova ka një qeveri që flet me shumë zëra dhe nuk ka një zë. Sot Kosova ka një shumicë që për çështje të rëndësishme flet me qëndrime të ndryshme”, ka thënë Limaj.
Sipas tij qeveria s’është e gatshme të marrë vendime.
Ndër të tjera Limaj ka kritikuar krahasimin e paralajmërimeve për largim të trupave amerikane nga Kosova me largimin e trupave që po bëhet nga Afganistani.
Limaj ka thënë se krahasime të tilla janë skandaloze, pasi siç thotë ai populli i Afganistanit çdo ditë kërkon që amerikanët të largohen nga atje, ndërsa populli kosovar ka bërë kërkesë që ata të vijnë në Kosovë.
“Zyrtarët tonë krahasojnë largimin e trupave nga Kosova me Afganistanin. Paramendojeni. Ne e relativizojmë largimin e trupave me Afganistanin. Harrojnë që populli i Afganistanit kërkon që amerikanët të largohen. Harrojnë që ne i kemi ftuar amerikanët me dekada. Pretendimet tona janë me shku në NATO”, ka potencuar Limaj.
Limaj ka kritikuar edhe idenë e Ministrit të Integrimeve, Blerim Reka, për idenë e kompromisit, duke i dhënë Serbisë korridor për dalje në Adriatik.
Limaj ka përmendur edhe një deklaratë të një zyrtari të qeverisë Kurti, i cili ka thënë se ajo çfarë po shihet aktualisht është vetëm ‘bishti i dardhës’. Limaj ka thënë se pajtohet me një deklaratë të tillë, duke paralajmëruar Kurtin se do ta përbijnë edhe ‘dardhën’
“Më pëlqej një zyrtar i qeverisë që kjo situatë është vetëm “bishti i dardhës”. E vërtetë është që veç ‘bishtin e dardhës’ jeni tu e pa. Kuku çka ka me iu gjetë. Edhe dardhën keni me e përbi”, ka shtuar Limaj.