Gjykata Supreme e ka liruar nga masa e paraburgimit Shaban Gogajn, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt.
Vendimi i Supremes është marrë më 24 dhjetor, me të cilin u aprovua kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit për mbrojtje të ligjshmërisë.
“Me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit Shaban Gogaj, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, PKR.nr.50/2023 të datës 18.06.2024 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PN.1.nr914/2024 të datës 13.09.2024, ashtu që të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet menjëherë sot me datën 24.10.2024”, thuhet në aktvendimin e Supremes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava, tha se familja e tani të ndjerit Tetaj e ka pritur rëndë këtë vendim, por sipas tij ata nuk janë befasuar.
Sipas Tmavës, me këtë vendim rrezikohet siguria juridike në vend.
“Gjykata e Apelit me rastin e vërtetimit të vendimit edhe përkundër që të njëjtit gjyqtarë e kishin kthyer çështjen në rigjykim dhe pas rigjykimit asnjë rekomandim i tyre i dhënë në vendim nuk ishte marrë parasysh nga Gjykata Themelore në Pejë, vendosën që ta vërtetojnë të njëjtin vendim”, tha Tmava.
Ndryshe, Gjykata e Apelit përmes vendimit të 3 tetorit 2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj Gogajt, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim.
Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt. Kurse, Isuf Cacaj me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Ndërsa, më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi sërish me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Isuf Cacaj u dënua me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.