Fahima ka qenë dëshmitare se si shumë nga të drejtat dhe liritë e saj u zhdukën më 2022, teksa talibanët vendosën kufizime ndaj grave afgane.
Punëtore e ndihmës në provincën jugore afgane të Uruzganit, Fahima ishte punësuar në një prej fushave që grupi militant lejonte gratë të punonin.
Por, kjo 26-vjeçare, muajin e kaluar humbi të ardhurat e saj me të cilat siguronte jetesën, kur talibanët ndaluan të gjitha organizatat lokale dhe ndërkombëtare që të punësojnë gratë afgane.
“Si do të mbijetojmë”, tha Fahima për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. Ajo kishte fituar 200 dollarë në muaj nga puna që bënte. “Unë isha mbajtësja e familjes. Pas kësaj ndalese, unë nuk e di se çfarë do të hamë”.
Ndalesa e fundit e talibanëve erdhi në fundin e vitit 2022, në të cilin, islamistët e linjës së ashpër intensifikuan sulmin e tyre ndaj të drejtave të grave, përfshirë edhe të drejtën që të punojnë jashtë shtëpive të tyre apo të arsimohen.
Ditë më parë, gratë u përballën edhe me një goditje të rëndë, pasi talibanët ndaluan studentet që të vijojnë mësimin në të gjitha universitetet publike dhe private. Gratë paraprakisht ishin lejuar që të shkonin në universitet, edhe pse kishin qenë subjekt i ndarjes gjinore dhe i kodit të ashpër të veshjes.
“Kam sakrifikuar gjithçka: kohën e lirë, ushqimin dhe pushimin për të shkuar në shkollën e mjekësisë”, tha Meena Hasanzai, një studente e një universiteti në Kabul. “Tani nuk mund të bëj asnjë tjetër veçse të qaj”, shtoi ajo për REL-in.
Gjatë vitit 2022, talibanët ndaluan gratë që të shkonin në palestra sportive, banja publike dhe parqe. Gratë po ashtu u urdhëruan që të mbulonin fytyrat e tyre në publik, teksa militantët rikthyen policinë famëkeqe të moralit, që zbaton kufizimet e ashpra fetare të talibanëve.
Pasi morën pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët ndaluan vajzat që të shkonin në shkolla të mesme, vendosën kufizime në udhëtimin e grave dhe shpërbën Ministrinë për Çështje të Grave.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar talibanët se po tentojnë të zhdukin gratë nga jeta publike dhe t’i burgosin në shtëpitë e tyre. Kufizimet drakoniane të grupit militant e kanë bërë Afganistanin shtetin më shtypës për gratë në botë, kanë argumentuar këto organizata.
Mariam Atash, avokate afgano-amerikane dhe avokuese për të drejtat e grave, tha se kufizimet e talibanëve ndaj grave janë “të padrejta, joislamike dhe të pamoralshme” dhe përbëjnë “aparteid gjinor, që është më i rëndë se në çdo vend në botë sot”.
Vëzhguesit thanë se kufizimet e ashpra të talibanëve ndaj grave që punojnë jashtë shtëpive të tyre po ashtu do të përkeqësojnë krizën shkatërruese ekonomike dhe humanitare në Afganistan, shtet që po përballet me papunësi masive dhe inflacion në rritje, por edhe me uri dhe sëmundje.
“Kufizimet e talibanëve kundër grave dhe vajzave janë shkatërruese dhe ato kanë ndikim të madh në shoqërinë afgane”, tha Zaman Sultani, hulumtues për rajonin e Azisë Jugore në organizatën për të drejtat e njeriut, Amnesty International.
*Video: Gratë afgane kundërshtojnë kufizimet e vendosura nga talibanët
Fatima, e vejë nga Uruzgani, i tha REL-it se ajo është “krejtësisht e humbur”.
“Nuk di çfarë të bëjë”, tha kjo nënë e tre fëmijëve që kishte siguruar jetesën duke pastruar shtëpitë e njerëzve të tjerë. “Ata kanë vendosur këto kufizime pa marrë në konsideratë problemet tona”.
Aktivistët kanë paralajmëruar se talibanët ka të ngjarë që edhe më tej të kufizojnë të drejtat e grave gjatë këtij viti, teksa ky grup po rivendos regjimin brutal që kishte pasur në vitet ’90.