Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se janë të kënaqur me rezulatin e LDK-së në zgjedhjet e 17 tetorit.
Abdixhiku ka deklaruar se do të vazhdojnë me reformat në parti.
“Ne jemi të kënaqur me rezultatin që kemi marrë, përfaqësimi është i mirë, ekipe të reja, në pjesë të caktuara të LDK-së do t’i forcojmë edhe disa degë dhe të vazhdojmë me reformën”, deklaron ai, në Blic Interview.
I pyetur për balotazhin në Podujevë dhe për një përkrahje të Ekrem Hysenit nga Agim Veliu dhe përkrahësit e tij, kreu i LDK-së ka thënë se nuk ka kuptim të ketë marrëveshje politike brenda një shtëpie.
Abdixhiku i ka çuar një mesazh Veliut, duke thënë se kush nuk i kupton reformat që po ndodhin, nuk mund të ecë bashkë me LDK-në, shkruan Reporteri.net.
“LDK kurrë s’ka qenë më e bashkuar në Podujevë. Individë mund të zgjedhin ndryshe si të veprojnë, për neve ka qenë e qartë, Ekrem Hyseni është kandidati ynë, i ka të gjitha kompetencat për të bërë fushatën, për ekipin, për shtabin, për të ecur përpara në rrugë sepse ne kemi besuar në Ekremin, dhe Ekremi ka dëshmuar në këtë proces se është i denjë të vazhdojë të udhëheq me procese të mëtutjeshme të mëdhaja brenda LDK-së, e domosdo brenda Llapit. Këtë e ka dëshmu me rezultatin e parë kur e ka kthyer LDK-në parti të parë atje në Podujevë, dhe tash në garë, në balotazh të bëjë edhe fitoren e pritur. Ne punojmë me njerëz fitues, ata që refuzojnë ose nuk duan ta kuptojnë reformën e LDK-së, natyrisht se nuk mund të ecin bashkë me LDK-në”, tha Abdixhiku.
I pyetur se a ka një marrëveshje të re të përkrahjes së Ekrem Hyseni, kreu i LDK-së tha se nuk lejon marrëveshje brenda LDK-së.
“Nuk lejoj marrëveshje brenda LDK-së, këtu s’ka ‘pardon’ është kandidati i LDK-së, bëhesh bashkë, i bashkohesh dhe punojmë të gjithë. Unë kam punuar për njerëz tanë brenda LDK-së, s’ka marrëveshje, s’bëhet kjo punë me marrëveshje, nuk ka kuptim brenda familjes të ketë marrëveshje politike. Ekrem Hyseni do të bëjë fushatën siç e ka bërë deri tani me njerëzit e vet, me ekipin e vet, është ekip i ri, do të qeveris me këtë ekip në të ardhmen. Kjo çështje ka përfunduar kohë më parë dhe as që është për diskutim”, ka thënë Abdixhiku.