Presidenti francez, Emmanuel Macron citohet nga mediat serbe të ketë deklaruar se “po pret të kryhen zgjedhjet në Kosovë, që pastaj të përfshihet në zgjidhjen e problemeve në dialogun midis Beogradit e Prishtinës”.
Sipas agjencisë së lajmeve serbe “Tanjug” këto deklarata presidenti francez i bëri të enjten gjatë një takimi të shkurtër që zhvilloi me ministrin e jashtëm serb Ivica Dacic.
Dacic e mbuloi me lajka presidentin Macron derisa e lëvdoi për fjalimin e tij të shkëlqyer gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi dhe e cilësoi si vizitën më të mirë të një burrështeteasi të huaj në ndonjëherë në Serbi. Macron e prezantoi me zonjën e parë franceze, Bridgette, dhe e komplimentoi ministrin serb Dacic për zërin para saj shkruajnë mediat serbe.
Ndryshe dialogu Kosovë-Serbi që nga nëntori i vitit të kaluar nuk është zhvilluar shkaku i vendosjes së taksës nga pala kosovare ndaj produkteve serbe. Pavarësisht kësaj, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e këtij procesi nuk janë ndalur përgjatë kësaj periudhe kohore.
Për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dyja vendeve ditëve të fundit u fol edhe në New York, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.