Myslimanët janë të ndarë për këtë projekt. Disa besimtarë e mirëpritën me kujdes idenë, ndërsa të tjerë shqetësohen se po shkon shumë larg në përpjekjen për të kontrolluar besimin e tyre ose kanë thënë se Qeveria ka veçuar institucionet islame, por nuk do të guxonte t’u sugjeronte ndryshime të tilla atyre të krishtera.
Qeveria franceze të shtunën ka nisur planin për të reformuar Islamin në Francë dhe për t’i dhënë fund ekstremizmit. Qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka prezantuar organin e ri të përbërë nga klerikë, laikë dhe gra me qëllim që të ndihmohet komuniteti më i madh mysliman në Evropën perëndimore.
Me Francën e përgjakur nga sulmet e kaluara ekstremiste, me qindra shtetas që kanë luftuar me xhihadistët në Siri dhe me mijëra ushtarë francezë që po luftojnë ekstremizmin në Afrikë, pak njerëz pajtohen se radikalizmi është rrezik për Francën. Mirëpo kritikët e shohin si plan politik për joshjen e votuesve të krahut të djathtë para zgjedhjeve presidenciale të muajit prill.
Organi i ri, i quajtur Forumi i Islamit në Francë, është prezantuar të shtunën nga Ministria e Brendshme në Francë. Përkrahësit thonë se do ta mbajë shtetin dhe pesë milionë myslimanët e tij – të sigurt dhe të lirë nga ndikimi i huaj. Sipas tyre praktikat myslimane në Francë do të vazhdojnë në lidhje të ngushtë me vlerat e çmuara sekulariste në jetën publike.
Ndërkaq kritikët, përfshirë mijëra myslimanë që e shohin fenë si pjesë të identitetit të tyre francezë, thonë se iniciativa e Qeverisë është një hap i ri drejt diskriminimit të institucionalizuar që mban përgjegjës krejt komunitetin për sulmet e dhunshme të ekstremistëve dhe shërben si pengesë për jetën e tyre publike.
Forumi i Islamit do të ketë pjesë imamë, figura me ndikim nga shoqëria civile, intelektualë të njohur dhe liderë të bizneseve. Të gjithë anëtarët emërohen nga Qeveria, ndërsa gratë do të përbëjnë çerekun e anëtarëve.
Ky Forum zëvendëson Këshillin Francez të Besimit Mysliman, grup i krijuar në vitin 2003 nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy, asokohe ministër i Brendshëm. Këshilli shërbeu si bashkëbisedues midis Qeverisë dhe krerëve fetarë. Këshilli do të shpërbëhet këtë muaj nga Qeveria e Macronit, sepse, sipas ministrit të Brendshëm, Gerald Darmanin, nuk po përmbushte më rolin në komunitetin mysliman dhe në shoqërinë franceze, pasi po tërhiqej nga sulmet e viteve të fundit, në të cilat humbën jetën qindra francezë.
“Ne duam të nisim një revolucion duke i dhënë fund (ndikimit të huaj) mbi Islamin”, ka thënë Darmanin në një intervistë me të përditshmen Le Parisien. “Islami nuk është një fe e të huajve në Francë, por një fe franceze që nuk duhet të varet nga paratë e huaja dhe nga ndonjë autoritet jashtë vendit”.
Në projektin e tij, Macroni ka parashikuar masa si trajnimi i imamëve në Francë në vend që t’i sjellë ata nga Turqia, Maroku apo Algjeria – plan që shumë në komunitetin mysliman e miratojnë.
Myslimanët janë të ndarë për këtë projekt. Disa besimtarë që vizituan Xhaminë e Madhe të Parisit për lutjet e xhumasë e mirëpritën me kujdes idenë, ndërsa të tjerë shqetësohen se po shkon shumë larg në përpjekjen për të kontrolluar besimin e tyre ose kanë thënë se Qeveria ka veçuar institucionet islame, por nuk do të guxonte t’u sugjeronte ndryshime të tilla atyre të krishtera.