Si mund ta bësh një qytet 2 mijë e 400 vjeçar të duket më bukur se “gërvishtjet” historike që ai vetë mbart, në çdo cep të tijin?
Lësho dritën, për të parë hijet!
Nuk është thjesht lojë fjalësh, por literalisht një spektakël magjepsës i dritave dhe koreografisë së realizuar përmes tyre, në ngjarjen e quajtur “Mangalem Shades”, e cila përgjatë festës së Krishtlindjes, dhuroi për gjithë qytetin e Beratit dhe vizitorët e tij, një pamje që nuk e kishin menduar më parë se mund ta shihnin.
Jo më gurë, dritare të panumërta e çati prej druri të punuar bukur, por drita të forta shumëngjyrëshe, për t’i çelur buzëqeshjen në fytyrë natën shikuesve.
Për herë të parë me një teknologji të re në Shqipëri, projeksione të ndryshme u shfaqën mbi kalanë e Beratit si edhe mbi lagjen e njohur të Mangalemit.
Me në mendje jo thjesht ofrimin e një shfaqjeje përrallore, por edhe të dhënies së një mesazhi për banorët e turistët, që ta vlerësojnë pasurinë e madhe të vendit, Krishtlindja ishte periudha më e volitshme për t’i bashkuar të gjithë në gëzimin e një spektakli të tillë.
Shtrirë në dy ditë, njerëz të shumtë në shëtitoren përgjatë lumit Osum e panë larminë e koreografive të ofruara në Berat nën një dimension festiv dhe kontekst tepër familjar.