Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga manifestimi i djeshëm i maturantëve në Mitrovicën e Veriut ku dëgjohen thirrje të tilla si “Kosova është zemra e Serbisë” dhe simbole të tjera nacionaliste.
Sveçla tha se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gëzojnë të drejtën e organizimit dhe manifestimit në hapësira publike dhe veçanërisht kur ato njoftohen në organet e rendit.
“I tillë ishte edhe manifestimi i sotëm i maturantëve në Mitrovicën e veriut. Pas njoftimit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat që sigurojnë mbarëvajtje të plotë të këtij manifestimi. Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë”.
Sveçla tha se Policia e Kosovës në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm.
“Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cenohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit”.
Në fund, Sveçla ka bërë thirrje te qytetarët që të mos bien në provokime të tilla që për qëllim kanë destabilizimin e situatës në Kosovë.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjashme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë”.