Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se qëllimi i letrës së Qeverisë drejtuar KFOR-it me zotimin se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk vendoset në veri pa autorizim paraprak të misionit të NATO-s, ka qenë më shumë një sqarim sesa rizotim. Sipas tij, ky sqarim është bërë për të qartësuar se një njësi e FSK-së është angazhuar në një prej komunave veriore dhe se ky veprim nuk ka pasur qëllim tensionimin e situatës.
Maqedonci në një përgjigje për KOHËN ka thënë se zotimi në letër sa i përket atij ka qenë që me komandantin e KFOR-it ta sigurojnë njëri-tjetrin për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme që angazhimi ushtarak të bëhet në mënyrë të koordinuar.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës. Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR”, ka thënë Maqedonci.
Ministri ka thënë se letra e Qeverisë nuk është rizotim, por vetëm sqarim se po respektohet zotimi i vitit 2013.
“Pra, nuk bëhet fjalë për rizotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s. Pra ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish-kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”.
Më 29 dhjetor në një intervistë në emisionin “Rrjedha” që transmetohet në KTV, kryeministri Albin Kurti pati thënë se letra e ish-kryeministrit Hashim Thaçi e dërguar më 2013 për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku thuhet se FSK-ja nuk do të shkojë në veri të Kosovës, ka krijuar kufij të brendshëm. Zotimin e Thaçit, Kurti e quajti si “skandalin që na ka lënduar më së shumti” kur e ka marrë detyrën e kryeministrit në mandatin e parë.
“Skandali më i madh që na ka lënduar më së shumti në fakt ka ndodhur kur kam qenë kryeministër herën e parë në atë periudhën e shkurtër kur e morëm atë letrën që ish-kryeministri Thaçi në vitin 2013 ia pati dërguar ish-Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ku i thoshte se zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të Kosovës dhe unë besoj se shumë probleme që i kemi sot janë pasojë e asaj. Nuk e kam kuptuar asnjëherë justifikimin, arsyetimin apo shfajësimin për të, por ajo ka qenë shoku i parë që e kam përjetuar si kryeministër… Ai është momenti kur ushtria jonë ka filluar të ndahet gjeografikisht, janë krijuar kufij të brendshëm dhe për mua është tejet e papranueshme dhe e rrezikshme për shkak se Policia nuk menaxhon kufij, Policia menaxhon fluks. Kufirin e menaxhon ushtria”, pati thënë Kurti.