Maqedonci për sulmin terrorist: Ishte plan ushtarak, kishin për qëllim pushtimin e një pjese të Veriut

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “EuronevwsAlbania”, duke folur për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se i njëjti fillimisht u perceptua si një sulm terrorist, por që rezultoi një plan ushtarak.

“Në fillim është dukur si një sulm terrorist, por pas gjetjes së armatimit dhe dokumente rezulton se është një plan i mirëfilltë ushtarak që është dashur të zbatohet nga njësi paraushtarake të ndihmuara nga shteti serb”, tha Macedonci.

Ai theksoi se planet që janë gjetur “kanë shenja teknike tërësisht ushtarake”, dhe se “armët kanë qenë për të qëndruar më gjatë, për t’u mbrojtur me qëllim final pushtimin e një pjese të Veriut të Kosovës”.

“Janë armë që përdoren nga ushtri të ndryshme, të gjitha të prodhuara në Republikën e Serbisë që nuk janë armë që i shiten individëve, por janë të destinuara për ushtrinë që duan një aprovim shtetëror për shitjen e tyre”.

Prandaj, pohon Maqedonci, “ushtria serbe i ka sponsorizuar dhe i ka ndihmuar në gjithë operacionin”.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që fillimisht sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash ndërsa pas një përditësimi të dhënave numri i personave shkoi në mbi 80 sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla akuzoi Millan Radojiçiçin, se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radojiçiç i armatosur në Banjskë.

Më 29 shtator, Radojiçiç, pranoi vetë se ka qenë pjesë e grupit terrorist në rastin e Manastirit të Banjskës.

Radojiçiç, nëpërmjet avokatit të tij, ka thënë se për veprimet e tij ai nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në Veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre, meqë sipas tij të njëjtit kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj ‘terrorit të Kurtit’”.

Radojiçiç gjithashtu ka deklaruar se sulmuesit e e Policisë së Kosovës në Banjskë të Komunës së Zveçanit nuk janë terroristë, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Ai ka pretenduar se vrasja e policit ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”, ndërsa njoftoi opinionin serb se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.