Vendimet në Suedi për ekstradimin e të dyshuarve merren nga një gjyqësor i pavarur, tha ministri i Drejtësisë në Suedi, duke iu përgjigjur presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se Stokholmi i kishte premtuar atij se do të ekstradonte “73 terroristë” si pjesë e marrëveshjes së tyre për pranimin e tij në NATO.
“Në Suedi, ligji zbatohet nga gjykata të pavarura,” tha ministri i drejtësisë Morgan Johansson në një deklaratë me shkrim për AFP.
Personat që nuk kanë nënshtetësi suedeze “mund të ekstradohen, me kërkesë të vendeve të tjera, por vetëm nëse kjo është në përputhje me ligjin suedez dhe Konventën Evropiane të Ekstradimit”, këmbënguli ai, duke kujtuar se shtetasit suedezë nuk mund të ekstradohen në vende të tjera.
Marrëveshja e nënshkruar nga Stokholmi me Turqinë, në mënyrë që kjo e fundit të heqë kundërshtimet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, thotë qartë se do të respektojmë Konventën Evropiane të Ekstradimit, shtoi ministri.
Më pak se 48 orë pasi të tre vendet ranë dakord në kuadër të samitit të NATO-s në Madrid, presidenti turk kërcënoi sërish sot se do të bllokojë hyrjen e tyre. Në konferencën për shtyp që dha, ai iu referua “premtimit që Suedia dha” për ekstradimin e “73 terroristëve”. “E premtuan. Eshtë shkruar. Ata do ta mbajnë premtimin”, tha ai.
Pa komentuar drejtpërdrejt deklaratën e Erdoganit, ministri i Drejtësisë kujtoi se fjalën e fundit për ekstradimin e ka Gjykata e Lartë “e cila mund të vërë veton ndaj saj” dhe jo qeveria.
Erdogan nuk dha detaje të tjera për 73 personat, ekstradimin e të cilëve ai kërkon. Megjithatë, Ankaraja ka kërkuar prej shumë vitesh ekstradimin e kurdëve ose anëtarëve të lëvizjes së Fetullah Gylen që jetojnë në mërgim në Suedi.