Pas gati shtatë orësh bisedimesh, Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan njoftuan në një konferencë të përbashkët shtypi se Rusia dhe Turqia do të fillojnë patrullin e përbashkët në Siri në një zonë sigurie 10 km nga kufiri turk.
Presidenti rus theksoi se forcat e huaja të vendosura në Siri në mënyrë të paligjshme duhet të largohen nga territori, duke shtuar se Ankaraja gjithashtu ndan këtë pozicion si dhe idenë që sovraniteti i Sirisë duhet të ruhet.
Putini shtoi se Erdogan i sqaroi në detaje objektivat e operacionit ushtarak turk, duke theksuar se është e rëndësishme që veprimet e Turqisë në Siri të mos shfrytëzohen nga terroristët. “Territori” i Sirisë nuk duhet të jetë pengesë për funksionimin e Komisionit Kushtetues”- shtoi Putin.
Nga ana e tij, presidenti turk përsëriti se nuk dëshiron territore të huaja dhe se Turqia “po bën gjithçka për të çliruar këtë rajon nga militantët e armatosur kurdë”. Grupet e armatosura kurde duhet të fillojnë të largohen ditën e mërkurë nga zona e sigurisë që shtrihet 30 kilometra larg kufirit turk, dhe për këtë arsye do të kenë 150 orë në dispozicion nga mesdita e së mërkurës.
Sapo të përfundojë ky interval prej 150 orësh, patrullimet do të fillojnë në perëndim dhe në lindje nga kordinatat ku po zhvillohet operacioni “Burimi i Paqes”. Sipas Erdoganit, patrullimet e përbashkëta do të zhvillohen në një thellësi prej 10 kilometrash nga kufiri me Turqinë. Presidentët e Rusisë dhe Turqisë diskutuan gjithashtu përfshirjen e bankave turke në sistemin e transferimit të dhënave të Bankës Qendrore të Rusisë me qëllim kryerjen e transaksioneve financiare.
Putin tha se me homologun turk “u fol për një marrëveshje të rëndësishme që parashikon përdorimin aktiv të rublës dhe lirës turk në tregti, por edhe për zgjerimin e pranimit të kartave ruse Mir në territorin turk dhe lidhjen bankave dhe kompanive turke në sistemin ndërbankar të Bankës së Rusisë”.