Atentati i pasdites së të mërkurës në Dobraç të Shkodrës, që shkaktoi tre viktima dhe një të plagosur tjetër që po lufton për jetën, risolli edhe një herë në vëmendje konfliktin e ashpër shumëvjeçar mes fiseve Bajri dhe Lici.
Sipas të dhënave paraprake policore, objektiv i këtij atentati ka qenë një nga viktimat, Hamza Lici, i cili udhëtonte në automjet së bashku me Arlind Bushatin, i cili gjithashtu mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave.
Nëse dy viktimat ishin në shënjestër të autorëve, aksidentalisht viktimë nga kjo ngjarje mbeti edhe shtetasja Flutura Basha, e cila po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, i cili po lufton ende për jetën në spital, shkruan A2.
Nisur nga shënjestra e këtij atentati, dyshimet kryesore të policisë së Shkodrës janë se ngjarja mund të jetë e porositur nga fisi Bajri, nisur nga konflikti shumëvjeçar që ka shkaktuar disa të vrarë mes fiseve Lici dhe Bajri.
Policia dyshon se ekzekutorët kanë nisur të qëllojnë nga një automjet Land Rover nga rreth 150 metra largësi dhe, pasi janë afruar në krah të automjetit ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, kanë qëlluar me breshëri ndaj tyre, transmeton A2.
Policia dyshon se në automjetin e autorëve kanë qenë të paktën tre persona: dy që kanë qëlluar me armë dhe shoferi i automjetit. Menjëherë pas ngjarjes, automjeti i autorëve u largua nga vendngjarja dhe u dogj pranë ish-repartit ushtarak në fshatin Golem, jo më larg se pesë minuta nga vendi ku ndodhi atentati.
Autorët janë kujdesur që automjeti të digjet plotësisht, duke mos lënë asnjë provë të vlefshme për policinë, edhe pse brenda tij janë gjetur armët që dyshohet se u përdorën në atentat. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Bajri, por ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi autorët, të cilët dyshohet se mund të kenë qenë të paguar dhe natyrisht të stërvitur mirë për atentate të tilla
Megjithë angazhimin e policisë, forcave RENEA dhe prokurorisë së Shkodrës, ngjarja përveç dyshimeve ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete për zbardhjen e plotë të saj.