Tre persona në Graçanicë kanë rënë pre e një mashtrimi duke paguar mbi 30 mijë euro në këmbim të përfitimit të granteve të ndryshme nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Këtë shumë të madhe të parave atyre ua mori një person, i cili pretendonte se kishte “lidhje” me ministrinë në fjalë. Viktimat dhanë mijëra euro, por nuk u doli siç u kishte premtuar i dyshuari.
Kështu ka mësuar Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, të cilat kanë dhënë detaje lidhur me rastin që u denoncua dje, në orët e pasdites, në stacionin policor në Graçanicë.
Viktimat (emra të njohur për redaksinë) kanë raportuar se si u mashtruan për muaj të tërë nga i dyshuari, i cili u premtoi subvencione të ndryshme, që përfshijnë mjete bujqësore. Madje, i dyshuari u kishte premtuar tre qytetarëve se përmes granteve që do t’i fitonin me ndihmën e tij, ata do të mund të ndërtonin edhe shtëpi.
I dyshuari i mashtroi viktimat për gati pesë muaj dhe u mori mijëra euro, secilit veç e veç. Sipas burimeve të Sinjalit, i njëjti u pagua nga tre qytetarët me 30 mijë e 300 euro. Secili prej tyre kishte paguar shuma të ndryshme, njëri 4 mijë e 600, tjetri 2 mijë e 500 dhe i fundit që i kishte dhënë shumën më të madhe, gjithsej 23 mijë e 200 euro.
Qytetarët që dyshohet se u mashtruan janë intervistuar në Polici dhe kanë dhënë deklaratat për komunikimin që kanë pasur me të dyshuarin dhe premtimet e tij për lidhje në ministri.
Pas marrjes së deklaratave, prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “mashtrim” dhe të nisin hetimet.
Sa i përket të dyshuarit, Sinjali mëson se i njëjti nuk është kapur ende, pasi Policia s’ka arritur të bie në kontakt me të, prandaj është futur në listën e personave që duhet të ndalohen nëse hasen nga Policia e Kosovës.
Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me detajet e reja të rastit.