MASHTRUESI “I SHENJTË” – Kisha Ruse i del në mbrojtje Janullatos

Atë Foti Cici

Faqja ruse “Orthodox Christianity” (anglisht) ka botuar shkrimin “Nacionalistë shqiptarë kërkojnë deportimin e menjëhershëm të Kryepeshkopit Anastasios” (22 qershor 2020; shih lidhjen në fund).

Në këtë lajm jepet një pasqyrë e rreme, sepse kryepeshkopi Janullatos nuk kërcënohet as edhe një qime, edhe sikur nacionalistët e shkurdisur shqiptarë të bashkoheshin të gjithë në një mendje dhe me një zemër.

Për ndërkallje, nacionalistët shqiptarë shkrehen vazhdimisht kundër grekëve, por heshtin mjeshtërisht ndaj atyre që zbatojnë politika të huaja në komunitetin ortodoks dhe jo vetëm, të cilët në shumicën dërrmuese nuk janë grekë, por me shtetësi dhe kombësi shqiptare!

Misioni politik i Janullatosit në Shqipëri, shkombëtarizimi i suksesshëm i komunitetit ortodoks në vendin tonë, zhbërja e sfondit kombëtar në Kishë, ngjizja dhe imponimi i një simbolike të huaj arkitekturore dhe artistike në kishat e reja, dytësimi i gjuhës amtare në adhurim, ndalimi i përkthimeve të reja liturgjike, kallja e greqishtes në shërbesa, si dhe shpërbërja e diasporës sonë ortodokse, e të tjera fakte të mëdha e të kryera, pra, të gjitha këto janë projekte që u kryen dhe po vazhdojnë të thellohen me mbështetjen e klasës politike shqiptare të të gjitha ngjyrave.

Jo më kot vetë Presidenti i Republikës nuk druhet ta mbështesë Janullatosin dhe projektet e tij antishqiptare publikisht, prandaj dhe nuk has asnjë kundërshtim nga qeveria dhe opozita.

Përse atëherë ky shkrim në faqen ruse?

Ky është një avaz i vjetër i Janullatosit, i cili përdor lidhjet e tij politike jashtë Shqipërisë për të shpërqendruar vëmendjen nga realiteti, duke sajuar çështje të paqena, sidomos duke shfrytëzuar krizën kishtare në Ukrainë dhe interesat gjeopolitike në Ballkan.

Nga ana tjetër, Janullatosi nuk u thotë rusëve edhe për çështjet e renditura më sipër, ato që fytyrojnë një kishë vendore, e cila sot është kapur dhe privatizuar prej tij, me mbështetje politike.

Për më keq, nuk u thotë rusëve edhe për reagimet dhe akuzat e ortodoksëve shqiptarë, jo të nacionalistëve, akuzat e mëdha për çështjet ortodokse kombëtare në Shqipëri.

Janullatosi hesht për akuzat më të rënda, ato për korrupsion dhe imoralitet brenda kryepeshkopatës së Tiranës dhe madje brenda grupit më intim të oborrit!

Nëse akuzat tona nuk qëndrojnë, a nuk janë këto më të rënda dhe më të rrezikshme sesa pasthirrmat dhe slloganët e nacionalistëve, të cilët këta, dashje – padashje, e kanë ndihmuar Janullatosin dhe e kanë bërë të përjetshëm misionin e tij në Shqipëri?

Janullatosi nuk iu jep të dhëna të huajve për akuzat e ortodoksëve kundër tij, sepse atëherë do të hapet debati në gjuhë të tjera mbi problemet reale në komunitetin ortodoks në Shqipëri dhe do të zbulohet jo vetëm misioni shkombëtarizues në KOASh, por do të ekspozohet karakteri i vërtetë i kryepeshkopit aktor, hipokrizia e tij, dhe për rrjedhojë do të çalojë improvizimi publik… Do të zbardhet loja politike!

Shkrimi anglisht në faqen e madhe ruse, atëherë, është çorientues për ata që nuk e njohin realitetin shqiptar.

Për hir të historisë, ndryshe nga nacionalistët shqiptarë, ne ortodoksët nuk kërkojmë deportimin e Kryepeshkopit të KOASh-it, por ngritjen e një komisioni për të hetuar shpërdorimet dhe vjedhjet e fondeve kishtare, për të zbardhur abuzimet financiare dhe seksuale, shumica e të cilave janë kryer dhe po kryhen nga njerëzit më të afërt të z. Janullatos dhe me dijeninë e plotë të tij.

Vjedhësit dhe shkelësit rëndom janë ata që mbështesin edhe shkombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri.

Kërkojmë Drejtësi!

* * *

Më 17 qershor 2020 kryepeshkopi i sotëm antishqiptar ndaloi përshpirtjen për Kryepeshkopin martir Kristofor Kisi në Tiranë, ndërsa disa ditë më vonë (24 qershor 2020) Janullatosi urdhëroi dhe imponoi një kremtim personal të 28-vjetorit të zgjedhjes së tij si kryepeshkop i KOASh-it.

Jo vetëm që kjo festë kultiste u krye, por po vazhdon akoma nëpër hapësirat mediatike të KOASh-it.

Ndërkohë ka nisur përgatitja për 28-vjetorin e fronëzimit të tij, i cili do të festohet mbas gjashtë javësh.

Janë rreth dhjetë festime personale që kryepeshkopi i sotëm i imponon me kërcënime, ndërsa ndalon nderimin minimal, domethënë një përshpirtje pesë minutash, për dëshmorët e besimit dhe të ndërgjgjjes, vetëm e vetëm se etërit e Kishës sonë janë me kombësi shqiptare.

Ku e gjen të drejtën antishqiptari Janullatos për të festuar dhjetë herë në vit, si asgjëkundi në Krishterimin Ortodoks, dhe ku e mbështet ndalimin e nderimit për ata që ia përkushtuan gjithë jetën Zotit, Kishës dhe Kombit, madje me përndjekje e burgime, a madje flijime për shkak të besimit, pa ndihmë nga asnjë ambasadë a fuqi jashtë Shqipërisë?

Nëse ka ndonjë politikan, akademik, a kushdo tjetër që mëton se është i sinqertë dhe jo i kompromentuar në mbështetjen ndaj kryepeshkopit Janullatos, a mund të shpjegojë ndalimin e përshpirtjeve dhe bllokimin e procesit për rivendosjen e martirëve të besimit dhe të figurave historike të komunitetit ortodoks në Shqipëri?

Shkrimi anglisht në faqen ruse (22 qershor 2020):

https://orthochristian.com/132066.html?