Raportohet se nëse konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi, atëherë kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt mund t’i ofrohet posti i presidentit.
Në atë situatë, PDK do të futet në qeveri, ku do ta marrë postin e zëvendeskryeminstrit të parë.
Për këtë post, po përmendet emri i Enver Hoxhajt, i cili do të jetë bashkëkryesues i bisedimeve së bashku me kryeministrit Avdullah Hoti.
Ne këtë rast, sipas burimeve, PDK pos zëvendëskryeministrit të parë do t’i marrë të paktën edhe 5 ministri, ku secila nga tri partitë LDK, AAK e Nisma do të heqin dorë nga disa ministri.
Ditë më parë, edhe vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Debat Plus, kishte folur për mundësinë që në qeverinë Hoti, të përfshihet edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Kishte thënë se nëse konfirmohen aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit dhe nëse PDK dëshiron ta japë kontributin e saj, atëherë mund të ketë bashkëpunim mes tyre.
“Jetëgjatësia e kësaj qeveria varet edhe nga mandati i presidentit. Nëse ka befasi dhe konfirmohen aktakuzat neve na duhet kuorumi për ta zgjedhur presidentin. Një qeveri më e madhe me më shumë votë shqiptare është në interes të Kosovës. Nëse PDK dëshiron të japë kontributin e vet mund të bashkëpunojmë”.
I pari i AAK-së thotë se çështja e presidentit ndikon direkt në formulat e ardhshme qeverisëse.
“Nuk është lehtë të bëhen 2/3 e kuorumit. Nuk besoj se në këtë kohë krizash duhet të mbyllen dyert edhe për Vetëvendosjen. Duhet të gjendet një formulë për qeveri gjithë nacionale. Edhe dialogu është shumë i rëndësishme”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.
Në anën tjetër, presidenti Thaçi, të premtën në mbrëmje do të arrijë në Kosovë.
Ai për katër ditë rresht, është intervistuar nga ana e Prokurorit të Specializuar, pranë Gjykatës Speciale.
Të enjtën në mbrëmje, teksa e përfundoi intervistimin katër ditor, presidenti Thaçi deklaroi, se nëse Gjykata Speciale punon me drejtësi, atëherë ai është i pafajshëm, duke shtuar se kurrë në jetën e tij nuk e ka kryer asnjë krim.
Gjithashtu, për intervistimin e tij prej katër ditës, Thaçi, tha se do të flas të shtunën në mbrëmje.
Në një shkrim në Facebook, u shpreh se siguron që askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.
“Sapo kam zbritur në Tiranë, nga kthimi prej Hagës dhe në mbrëmje do të arrij në Kosovë. Nesër në orën 20:00 do të flas për katër ditët e kaluara në Hagë. Ju uroj një fundjavë të bukur. Ju siguroj se askush nuk mund ta rishkruajë historinë tonë! HTH”, ka shkruar Thaçi.
Mirëpo, zërat se PDK do të futet në qeveri, janë mohuar ditë më parë nga zëdhënësi i partisë së Kadri Veselit, Avni Bytyqi.
Në një shkrim në Facebook, Bytyqi ka thënë se PDK është parti opozitare dhe nuk është diskutuar tema e hyrjes në qeveri.
“Partia Demokratike e Kosovës, është parti opozitare. Deri më tani, nuk është diskutuar kjo temë e hyrjes në qeveri, në asnjë nivel vendimmarrës të partisë. Çdo gjë që është duke u përfolur deri tani nëpër media, është vetëm në nivel të spekulimeve”, ka shkruar në Facebook Avni Bytyqi, zëdhënës i PDK-së.
Me 24 qershor të këtij viti, Gjykata Speciale, bëri publike ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Mirëpo, kjo aktakuzë nuk është e plotë, për shkak se nuk është verifikuar nga Gjykatësi i lëndës paraprake dhe si e tillë nuk është ende në fuqi.
Disa ditë më pas, presidenti Thaçi, mori ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.
Intervistimin kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e kishte përfunduar më parë.
Thaçi u shpreh se do të jap dorëheqje nga pozita e presidentit, nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.