Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe, e cila ka pushtetin në Serbi, u mblodhën të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, ku ndodhej edhe një grup që mbështet Boshko Obradoviqin – udhëheqës i Lëvizjes opozitare Dveri – i cili qysh të dielën është futur në grevë urie.
Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, xhandarmëria dhe policia serbe janë vendosur midis dy grupeve kundërshtare, ndërsa trafiku është ndaluar.
Pranë ndërtesës së kuvendit ndodhen edhe disa deputetë të pushtetit dhe opozitës.
Në mesin e tyre janë edhe Aleksandar Martinoviq dhe Sandra Bozhiq, deputetë të partisë në pushtet, që po ashtu janë në grevë urie.
Këta të fundit kërkojnë që prokuroria serbe të fillojë procedimet ndaj personave që kanë marrë pjesë në trazira, gjatë një tubimi të organizuar nga Dveri, më 8 maj, përpara Kuvendit të Serbisë.
Obradoviq, në anën tjetër, ka hyrë në grevë me kërkesën që të shtyhen zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, të caktuara për 21 qershor.