Pozita me opozitën është e vështirë të bëhet bashkë edhe pë tema të rëndësishme nacionale për të cilat raporton gazeta Nacionale. Por, kësaj here është bashkuar për t’i promovuar një libër hoxhë Shefqet Krasniqit.
Shefqet Krasniqi – hoxha i njohur nga Prishtina – ra në spikamë të medieve së fundi pasi u shpreh që burri nuk kishte pse ta pyeste gruan e parë nëse duhej ose jo ta merrte edhe një grua tjetër.
Dhe, ai gjatë ditës së sotme tregoi se kishte shtruar iftar (ndoshta në ndonjë ditë tjetër të këtij muaji) në të cilin kishte bërë edhe promovimin e disa librave.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai nuk ka treguar se për çfarë librash bëhej fjalë, e madje nuk ofroi as titujt e tyre.
Shefqet Krasniqi është kritikuar ashpër për deklaratat e tij në të cilat hapur shprehej mbështetja për bigaminë, por ai është kritikuar edhe në të kaluarën për deklarata tjera të papranueshme.
Hoxha i mirënjohur ka ndarë me publikun një varg fotografish nga promovim/iftari në fjalë dhe ku ndodhen edhe deputetë të pushtetit, përfshirë Visar Korenicën, Gramos Agushollin e Eman Rrahmanin.
Përveç tyre, në këtë ngjarje të organizuar nga Krasniqi mund të shihet edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, por edhe ai i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Nga figurat e tjera publike, në promovimin e librave të hoxhës mund të shohim edhe publicistin e njohur nga Mitrovica, z. Nexhmedin Spahiu si dhe një varg figurash të estradës së Kosovës.
Deputetët e pozitës dhe opozitës së fundi u bashkuan edhe në kundërshtimin e draftit të Kodit Civil në të cilin parashihej lejimi i bashkësive të regjistruara civile për seksin e njëjtë.
Qëndrime të papranueshme homofobe – ndër tjerë – kishin pasur edhe deputetët Labinotë Demi Murtezi dhe Burim Karameta.
Në ngjarjen në fjalë, nuk ishte as Karameta por as Murtezi. Në fakt, në këtë ngjarje nuk ishte e pranishme asnjë grua e vetme.
PËRDITËSIM: Në këtë mbledhje shihet edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, po ashtu anëtar i Vetëvendosjes.