Xhamia në fshatin Halabak të Podujevës është mbyllur përkohësisht, pas një përleshje mes dy palësh, të cilët ishin pro dhe kundër hoxhës së ri në fshat, që u emërua nga Bashkësia Islame e Kosovës.
“Si rezultat i tensionimit të situatës, kjo xhami mbyllet përkohësisht, deri në një vendim tjetër nga ana e KBI-së Podujevë. Vendimi nxirret pas koordinimit edhe me Kryesinë e BIRK”, thuhet në vendimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës, të vendosur në derën kryesore të xhamisë.
“Ftojmë për unitet, falje e mirëkuptim!”, përfundon vendimi.
Hoxha i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, me të shkuar për herë të parë për të kryer ritet fetare, është tentuar të pengohet nga katër persona, pasi që nuk janë pajtuar me imamin e caktuar nga BIK-u. Të njëjtit kanë tentuar që ta sulmojnë hoxhën, por ky i fundit është mbrojtur nga tre të tjerë, me njërin prej tyre që ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër personat që tentonin të pengonin hoxhën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Grupi i tre personave që mbrojtën hoxhën gjenden në arrati, ndërsa në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur një fotroll e revoles.