Mbi 32 mijë punëtorë të sallave të dasmave në Kosovë pritet të mbesin pa punë me masat e reja të cilat pritet të votohen sot në qeveri. Sipas Visar Demolli nga Oda Hotelierisë vetëm nga sallat e dasmave, dëmet do të kapin shifren mbi 13 milionë euro për 10 ditë.
Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, të cilat pritet të votohen sot do të prekin më së shumti sektorin e Hotelerisë dhe Gastronomisë.
Me masat e reja pritet që të përgjysmohet numri i dasmorëve në salla, nga 300 sa ishte deri tash në 150, shkruan Insajderi.
Kjo masë do të ketë pasoja milionëshe për këto biznese për 10 ditët sa është paralajmëruar se do të qëndrojnë këto masa. Pronarët e restoranteve janë të detyruar që të zvogëlojnë edhe numrin e punëtorëve.
Visar Demolli, Drejtor Ekzekutiv në Odën Hoteliere Turistike të Kosovës, në një prononcim për Gazetën Insadjeri tha se këto ditë do të largohen nga puna mbi 32 mijë punëtorë.
“Masat e reja që do të hynë në fuqi nga data 20.08.2021 janë masat të cilat prap e atakojnë Hotelerin dhe Gastronomin, ku e dim se në Kosovë për çdo gjë, ne si hotelier jemi si pikë qitje, po prap u dakorduam që keto masa të jenë deri me datë 01.09.2021 dhe të ulemi prap me Z.Vitia dhe të rishikohen këto masa”, deklaroi Demolli.
Vetëm në sallat e dasmave, sipas Demollit dëmet do të kapin shifren mbi 13 milionë euro për 10 ditë.
“Humbjet normale që do të jenë miljonshe ku është e deshmuar se me salla dasmash janë të lidhur ngusht prodhuesit vendor si ata të mishit po ashtu të pijev. Po vetëm salla dasmash kap shifren mbi 13.500.000 milonë euro per 10 ditshin pa i llogaritur prodhuesit e bashkpuntoret tjerë”, shtoi Demolli.
Edhe pronari i Hotelit “Golden Imerial” Driton Hoti, tha se nga këto masa do të detyrohen që të zvogëlojnë numrin e stafit të punëtorëve.
“Që nga fillimi i sezonës kemi pasur numër më të vogël të dasmorëve. Por nuk kemi çka me bo. Do të zvogëlojmë numrin e punëtorëve sepse nuk është njejt sikur me i shërby 200 ose 300 dasmorëve sikur 150”, tha Hoti për Gazetën Insajderi.
Të martën, Ministri i Shendetësisë Arben Vitia, bëri publike masat e reja që pritet të votohen sot e të hyn në fuqi nga data 20 gusht deri me 01 shtator.
Në këto masa përfshihet edhe mbyllja e klubeve të natës dhe zvogëlimi i numrit të klientëve në 150 nëpër salla të dasmave të cilat do të lejohen të punojnë deri në orën 22:30.