Piotr Glinski, 67 vjeç, është Ministri i Kulturës dhe zëvendëskryeministër në qeverinë polake të drejtuar nga partisë nacional-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS). Me profesion profesor i sociologjisë, ai ishte pjesë e lëvizjes demokratike në vitet 1980, që luftoi kundër regjimit komunist.
Më vonë, Glinski ndihmoi në krijimin e një parku kombëtar në rajonin e Masurias, dhe ishte një ndër themeluesit e Partisë së Gjelbër, që aktualisht ka një peshë të papërfillshme në skenën politike të vendit.
Në vitin 2015, ai iu bashkua partisë PiS të drejtuar nga Jaroslaw Kaczynski. Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, ai thotë se krimet e luftës janë tipike për ushtrinë ruse. Glinski paralajmëron se veç të tjerash Moska po përpiqet të shkatërrojë trashëgiminë kombëtare të Ukrainës.
Forcat ajrore të Vladimir Putinit po shënjestrojnë godinat e banimit, spitalet dhe qendrat tregtare, dhe nuk duket se po shmangin as institucionet dhe monumentet kulturore. Në Mariupol, ata bombarduan një teatër. Mendoni se ishte e qëllimshme?
Ushtria ruse – dhe ne e kemi vënë re këtë në Grozni dhe më vonë në Siri – kryen sistematikisht krime lufte. Kjo është mënyra e saj e të vepruarit. Në këtë luftë po synohet të shkatërrohet e gjithë infrastruktura, për ta goditur sa më shumë popullsinë civile. Këtu përfshihen teatrot, muzetë dhe kishat.
A është kjo një përpjekje e qëllimshme për të shkatërruar trashëgiminë kombëtare të ukrainasve?
Unë nuk kam asnjë dyshim për këtë. Shkatërrimi i këtyre godinave synon që të demoralizojë popullsinë ukrainase, dhe ta detyrojë ata të dorëzohet. Putin është i mendimit se në fakt nuk ka një shoqëri të pavarur ukrainase dhe sigurisht asnjë komb ukrainas.
Kjo pikëpamje nuk është vetëm një mendjemadhësi e tij, por edhe një gënjeshtër, siç është shumica e gjërave që thotë Putin. Shoqëria ukrainase ka qenë në procesin e organizimit të vetvetes gjatë disa shekujve, ashtu siç është edhe tani.
Me fjalë të tjera, Ukraina nuk po lufton vetëm kundër një regjimi diktatorial që Rusia dëshiron t’ia imponojë asaj, por edhe për ekzistencën e vet si komb. Si mund ta ndihmojë Perëndimi?
Perëndimi, bota e civilizuar, po e mbështet Ukrainën duke vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, dhe duke e furnizuar me armë. Por po ashtu është i rëndësishëm ofrimi i ndihmës humanitare në terren dhe siguria e infrastrukturës.
Këtu përfshihet mbrojtja nga shkatërrimi e monumenteve dhe siteve të trashëgimisë historike. Ne kemi qenë prej vitesh në kontakt të ngushtë me kolegët tanë ukrainas, dhe jemi takuar me ta pak para luftës. Ne kemi kontakte me muzetë, institutet dhe arkivat atje.
Partnerët tanë na kanë kërkuar materiale për paketimin e veprave dhe monumenteve kulturore. Gjashtë ose shtatë ngarkesa kanë mbërritur tashmë në Ukrainë nga Polonia. Ne po u japim çarçafë mbrojtës, karton, batanije rezistente ndaj zjarrit dhe të ngjashme, në mënyrë që të mund të ruhen dhe mbrohen thesaret e artit.
Në Lviv, 30 për qind e thesareve nga bibliotekat dhe muzetë janë vendosur tashmë në vende të sigurta. Por ne po ndihmojmë edhe artistët që kanë mërguar këtu në Poloni. Dhe kemi bërë të njëjtën gjë me bjellorusët.
Krijojmë për ta hapësira, për shembull ose u japim bursa studimi, ose i pranojmë në institutet tona, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën e tyre. Sapo aprovova fondet për një portal interneti mbi artin ukrainas. Polonia po bën shumë për të ndihmuar Ukrainën. Më shumë se 2 milionë refugjatë kanë mbërritur tashmë këtu, nga të cilët, vlerësohet se 1.5 milionë do të qëndrojnë gjatë me ne.
A do të zhvendoset e gjithë jeta kulturore e Ukrainës në mërgim, ndoshta në Poloni?
Ukraina është ende duke luftuar, dhe nuk është mposhtur. Kultura është e rëndësishme, por për momentin më vendimtare janë furnizimet me armë dhe municione. Pothuajse e gjithë bota po e mbështet aktualisht luftën e Ukrainës kundër së keqes.
Meqë ra fjala, nuk më është kërkuar që të sjell në Poloni thesaret kulturore ukrainase. Ne do t’ua bënim menjëherë këtë favor. Jemi të përgatitur, por nuk ka pasur një kërkesë të tillë. Kjo tregon se ata ende presin të fitojnë. Dhe ne dhe e gjithë bota duhet të besojmë se është e mundur mposhtja e Vladimir Putin.
Por ata na kanë kërkuar që të vendosim sanksione të forta ndaj portaleve dhe transmetuesve rusë, që e përhapin vazhdimisht propagandën e Kremlinit. Dhe këtë gjë ne do ta marrim shumë seriozisht në kuadër të Bashkimit Evropian.
Politikanët polakë kanë paralajmëruar prej vitesh mbi rrezikun që paraqet Rusia e Vladimir Putin. Tani, është parë në mënyrë tragjike se ata kishin të drejtë. Aktualisht, vendi juaj është një avokat i fortë i Ukrainës në Perëndim. A po rritet rëndësia e Polonisë, tani që ndodhet papritur në vijën e frontit?
Shpresoj që ne të mos jemi vetëm zëri i Ukrainës në Bashkimin Evopian, por edhe zëri i demokracisë. Ne kemi një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Jemi të bindur se fati i gjithë botës varet nga fati i Ukrainës.
Kryeministri ynë, Mateusz Morawiecki dhe udhëheqësi ynë politik Jaroslaw Kaczynski, ishin në Kiev javës së kaluar, së bashku me miqtë tanë nga Republika Çeke dhe Sllovenia. Atje duhet të shkojë çdo burrështetas evropian. Ne jemi akuzuar prej kohësh se jemi paranojakë në raport me Rusinë. Por tani bota po sheh se si është vërtetë ky vend.