Ish-kikboksieri britaniko-amerikan Andrew Tate ka qenë i ftuar në podkastin “Anything goes with James English”, derisa ka shpalosur detaje rreth akuzave që rëndojnë mbi të si dhe ngjarjeve të fundit.
Tate, ka refuzuar të pranojë akuzat e ngritura ndaj tij, teksa edhe një herë tjetër ka treguar dashurinë që ndjen për Rumaninë dhe popullin atje.
Madje, në bisedë e sipër, në minutën e 22-të, duke shpjeguar se pse nuk ka qëndruar në Rumani, Andrew ka thënë se ishte aq i “pastër” sa nuk i frikësohej ligjit, por ndoshta “gangsterëve shqiptarë” që sipas tij, operojnë në shtetin rumun.
“Sepse e dua Rumaninë, kam qëndruar atje për 7 vjet. 99% e rumunëve që kam takuar më kanë kërkuar falje. Njerëz që kam takuar në rrugë, efektivë policie, në gjyq. Të gjithë e kuptojnë se çfarë po ndodh. Janë njerëz të mirë. U vjen vërtet keq, është një vend i mirë i mbushur me njerëz të mirë, erdha të bëj gati valixhen dhe më kapën”, ka thënë ai.
“E dija që po kurdisnin diçka. Isha më shumë i shqetësuar për gangsterë shqiptarë sepsa për ligjin, sepse nuk e kam thyer kurrë ligjin. Si dikush që nuk e kam thyer kurrë ligjin, nuk e kam pasur kurrë frikë”, ka shtuar ai.
Personazhi shumë i komentuar, Andrew Tate e ka shfajësuar veten nga akuzat që i drejtohen atij, duke u shprehur se kurrë nuk e ka përdorur një grua për të përfituar të mira materiale.
Përndryshe, Andrew Tate është akuzuar në Rumani për përdhunim, trafikim njerëzor dhe formim të një grupi krimi të organizuar për të shfrytëzuar seksualisht gratë.
Vëllai i tij Tristan dhe dy bashkëpunëtorët e tij gjithashtu përballen me akuza. Të gjithë i kanë mohuar akuzat, shkruan BBC, transmeton AlbanianPost.
Vëllezërit u arrestuan fillimisht në shtëpinë e tyre në Bukuresht në dhjetor përpara se të transferoheshin në arrest shtëpiak në muajin mars.
Aktakuza e depozituar në gjykatën e Bukureshtit thotë se katër të pandehurit formuan një grup të organizuar kriminal në vitin 2021 për të kryer trafikim njerëzor në Rumani, por edhe në vende të tjera, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Ai përmend shtatë viktima të supozuara për të cilat thotë se ishin rekrutuar nga vëllezërit Tate përmes premtimeve të rreme për dashuri dhe martesë.
“Viktimat e supozuara u dërguan më vonë në ndërtesat në qarkun Ilfov në Rumani, ku u frikësuan, u vunë nën mbikëqyrje dhe kontroll të vazhdueshëm dhe u detyruan të hynin në borxhe”, sipas një deklarate nga prokurorët rumunë.
Të pandehurit dyshohet se më pas i detyruan gratë të merrnin pjesë në video pornografike, teksa të njëjtat vonë u shpërndanë në mediat sociale.