Me thirrjet për ndaljen e grevës, vlerësohet se Tërnava po imiton klerikët serbë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një konferencë për media ka bërë thirrje për ndërprerje të grevës. Ndërsa Qeverisë e Kuvendit i ka kërkuar që të miratojnë Ligjin e Pagave e të marrin në konsideratë kërkesat e grevistëve. Por, thirrjet e tij janë vlerësuar si të pavenda e të panevojshme. Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci, e ka krahasuar Tërnavën me klerikët serbë të cilët, sipas tij, marrin pjesë aktive në jetën politike

Thirrja e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, për ndërprerje të grevës në arsim dhe në administratë publike është vlerësuar si e pavend dhe e panevojshme. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një konferencë për media, të mbajtur të martën, ka bërë thirrje për ndërprerje të grevës. Ndërsa Qeverisë e Kuvendit i ka kërkuar që të miratojnë Ligjin e Pagave e të marrin në konsideratë kërkesat e grevistëve.

Por, drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci, ka thënë se detyra zyrtare e Tërnavës nuk e thërret atë të japë deklarime dhe të mbajë aktivitete të tilla.

“Ky është një imitim i situatës në Serbi ku klerikët prononcohen dhe marrin pjesë aktive në jetën politike në vend. Nuk po e kuptoj pse Tërnava del dhe mban konferencë urgjente të shtypit, siç e kishte quajtur ai vetë, dhe thotë diçka që të gjithë e kemi dëgjuar gjatë gjithë kohës, që është të ndalet greva dhe që Qeveria t’ua rrisë pagat, këtë e thonë të gjithë, kurrfarë kontributi në debat nuk ka dhënë”, është shprehur Gjinovci.

Sipas tij, tema për të cilën ka folur Tërnava nuk i takon fare atij.

“Ai është mirë të merret me përmbajtjen e ligjëratave në xhami, që mendoj që është shqetësuese, nivelin e hoxhallarëve që diskutojnë, që po ashtu janë të ngjashëm me nivelin e arsimtarëve që japin mësim në shkollat e Kosovës. Mendoj që ai ka shumë punë të tjera më të rëndësishme për t’u marrë, sesa me u marrë me arsim e me grevë”, ka thënë Gjinovci.

Sipas tij, thirrjet e Tërnavës janë të panevojshme.

“Tërnava natyrisht që ka të drejtë të japë mendime ose të kontribuojë në një debat, por të thërrasë në kuadër të myftiut të Kosovës konferencë urgjente, që të flasë për grevat, për arsimin, për politikën në përgjithësi, më duket komplet e pavend dhe ai nuk ka nevojë ta bëjë këtë”, ka theksuar Gjinovci.

Thirrja e Tërnavës është kritikuar edhe nga hulumtuesja në institutin “Ed Guard”, Arbisa Shefkiu, e cila ka thënë se legjislacioni që e rregullon arsimin parauniversitar nuk parasheh përfshirje të institucioneve fetare në arsim.

“Për herë të parë në historinë tonë po e shohim një institucion fetar që ka bërë thirrje që të ndërpritet greva, në grevat e kaluara nuk ka pasur ndërhyrje të institucioneve fetare”, ka theksuar Shefkiu.

Të martën myftiu Tërnava ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka bërë thirrje për ndërprerje të grevës.

“Ne mbështesim kërkesën e mësimdhënësve të Kosovës për pagë të dinjitetshme, ngase mësimdhënësit kanë mision të shenjtë, janë arsimuesit, edukuesit dhe pedagogët e fëmijëve tanë. Thërras SBASHK-un që për hir të misionit që bartin mbi vete, që sot ta ndërpresin grevën dhe që nesër fëmijët tanë të kthehen në bankat e shkollës, aty ku e kanë vendin”, ka thënë Tërnava.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje Qeverisë e Kuvendit që të miratojnë Ligjin e Pagave dhe të marrin në konsideratë kërkesat e grevistëve.

“I bëj ftesë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që sa më parë të miratojnë Ligjin për Paga, e në këtë kuadër, kërkesat e sindikalistëve të merren në konsideratë. Të gjithë jemi të bindur që nuk është koha për përplasje e barrikadime, por për unitet veprues, urtësi, mençuri e mbështetje për njëri-tjetrin. Mbes me shpresë që nesër nxënësit t’i kemi në bankat e shkollës, kurse shërbyesit civilë në krye të detyrës”, është shprehur Tërnava.

Myftiu ka kërkuar që edhe shërbyesit civilë ta ndërpresin grevën.