Guximi i Edi Ramës për të montuar burgosjen e kandidatit të zgjedhur të bashkisë Himarë buron nga mbyllja e syve që aleatët perendimorë po tregojnë ndaj kryeministrit shqiptar që ka ditur të jetë i dobishëm për ta. Kështu shkruan në një koment në gazetën “Kathimerini”, Sakis Moumtzis. Thelbi i artikullit të tij të titulluar “Dënimi i Belerit një çështje prestigji”, i mëshon faktit se i gjithë procesi ka qenë i pilotuar nga kryeministri shqiptar. “Çështja Beleri u montua hapur që në fillim. Ishte një komplot i stilit ballkanik i kryeministrit shqiptar Edi Rama kundër helenizmit në Himarë.
Duhet theksuar se qeveria në Shqipëri është kthyer prej kohësh drejt një regjimi autoritar, me kryeministrin qe ka në kontroll të plotë të gjithë sistemin gjyqësor, me liderin e opozitës Sali Berisha në arrest shtëpie. Aleatët dhe partnerët tanë mbyllin sytë para kësaj situate sepse Rama është i dobishëm për ta dhe ai duke shkelur këtë tolerancë vendos regjimin e tij. Në këtë regjim, minoriteti grek, si subjekt politik, ekonomik dhe social, nuk ka vend”.
Duke bërë këtë pasqyrë të përgjithshme autori shtron pyetjen si duhet të sillet pas kësaj Greqia, e prekur në dinjitetin e saj. “Greqia është fuqia kryesore në Ballkan. Dorashka që iu hodh asaj me paraburgimin dhe dënimin e mëpasshëm të Fredi Belerit nuk mund të mbetet pa përgjigje”, nënvizon ai. Autori nuk ka dyshime se “Edi Rama, siç dëshmohet nga një sërë veprimesh të tij, zgjodhi strategjikisht të qëndrojë kundër Greqisë. Në këtë ai inkurajohet nga mbështetja që i kanë dhënë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia dhe Turqia, në mënyrë që të ndihet i sigurt se ne do të reagojmë me delikatesë ndaj sfidave që na bën”.
Në fakt, kjo çështje se si duhet të sillet Athina zyrtare ndaj situatës së re të krijuar ka qenë këto ditë temë e shumë analistëve të vendit fqinjë.
Në një koment të Stavros Tzimas, një analist mjaft i njohur dhe me peshë në Greqi, thuhej se dënimi i Belerit nga gjykata në Tiranë “nuk ka habitur askënd” dhe nuk vihet në dyshim se pas këtij akti qëndron Edi Rama. “Do të jetë interesante të shohim se cilat do të jenë lëvizjet e radhës të politikës së jashtme greke dhe si do të reagojnë aleatët europianë dhe amerikanë, të cilët deri më tani kanë mbyllur sytë ndaj Ramës.
Historiani dhe filozofi grek, Constantinos Filis, i cili ka bërë një koment në gazetën “Kathimerini” mbron tezen se Shqipëria në arenën ndërkombëtare është forcuar, se ajo nuk është më ajo e para disa viteve dhe për këtë arsye procesi i Belerit duhet të shërbejë si një pikë kthese që Athina të rishikojë qasjen e saj diplomatike. “Shqipëria, është ndikuar prej disa vitesh nga vende të veçanta, padyshim që i përket sferës së influencës së Shteteve të Bashkuara, por edhe shteteve evropiane, si Gjermania dhe Italia, por edhe Turqia kanë një ndikim të fortë në Tiranë. Me sa duket është Berlini dhe Roma që i japin Ramës besimin se nëse është e nevojshme, ai do të anashkalojë çdo veto greke, ose më mirë, për ta thënë më troç, se Greqisë do t’i bëhet presion që të mos bllokojë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE” – shkruan Filis.
Analisti grek vëzhgon se “Shqipëria po krijon në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive mburoja mbrojtëse përmes partneriteteve dhe bashkëpunimeve me aktorë të fuqishëm brenda Perëndimit, madje duke shitur teza antiruse dhe duke u bërë më simpatike ndaj lidershipeve dhe qarqeve të caktuara.
Në fund të fundit, çështja Beleri është një alarm zgjimi për diplomacinë greke në raport me Ballkanin Perëndimor dhe ekuilibrat dinamikë dhe të rinj që mbizotërojnë. Ne duhet të kemi një plan dhe një vizion për të rikuperuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe universale në rajon, sepse konkurrentët tanë tashmë janë vendosur strategjikisht në tabelën e shahut dhe jo vetëm nga Lindja” – mbyllet shkrimi tij.
Të martën kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u dënua nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 2 vite burg. Ai u shpall fajtor për blerje votash në zgjedhjet e majit të kaluar.