Një kompromis në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka ende shumë çështje të hapura për t’i sjellë të dyja palët më afër marrëveshjes përfundimtare, të cilën BE-ja e quan “ligjërisht të detyrueshme”.
Mediumi kroat “Jutarnji List” ka raportuar të dielën në mbrëmje se marrëveshja për dokumentet, e cila u shpall e arritur të shtunën, është arritur falë kompromisit të palës serbe.
Edhe pse më 1 shtator Kosova synonte të fillonte zbatimin e vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë, që do të nënkuptonte lëshimin e dokumenteve personale të lëshuara për serbët që hyjnë në Kosovë, sikurse ndodhte me qytetarët e Kosovës që kalonin kufirin drejt Serbisë.
Serbia ka konfirmuar se nuk do të lëshojë më asnjë dokument shtesë për qytetarët e Kosovës që hyjnë në Serbi, por atyre do t’u mjaftojnë dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Përfaqësuesit e qeverisë serbe, megjithatë kanë thënë se “kjo nuk do të thotë se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”.
“Qeveria e Kosovës është e kënaqur me këtë zgjidhje sepse kryeministri Albin Kurti ka thënë që në fillim se nëse Serbia heq dorë nga praktika e deritanishme, nuk ka arsye që Kosova të mos heqë dorë nga synimet e saj”, raporton “Jutarnji List” në një artikull të titulluar: Sfondi i marrëveshjes Serbi-Kosovë: “Vuçiq ishte ai që bëri kompromis”.
Por, media kroate raporton se Vuçiq ishte ai që bëri kompromis për arritjen e marrëveshjes.
“Faktin që Borell e falënderoi veçanërisht Vuçiqin, ata e shohin si dëshmi se Vuçiq ishte ai që bëri kompromis në këtë çështje, sepse Serbia hoqi dorë nga praktika që ka përdorur deri më tani për qytetarët e Kosovës gjatë hyrjes në Serbi. Megjithatë, ka ende shumë çështje të pazgjidhura, disa prej të cilave ende mund të shkaktojnë tensione në Kosovë”, raporton “Jutarnji List”.
Njëra prej çështjeve që mund të shkaktojë tensione, raporton gazeta kroate, ka të bëjë me targat.
“Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në dy muajt e ardhshëm do të mundësojë ndërrimin e targave për ata që posedojnë targat e vjetra me simbole serbe, me targa të reja të Republikës së Kosovës. Pas kësaj, autoritetet e Kosovës, siç është paralajmëruar, do të konfiskojnë automjetet me targa të paligjshme. Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tri lloje tabelash: ato me shenja RKS (Republika e Kosovës), të cilat tani duhet të jenë të vetmet”, vijon raportimi i gazetës.
Në Kosovë, një pjesë e opozitës dhe kundërshtarëve të qeverisë në media, e kanë cilësuar “farsë” marrëveshjen e arritur në Bruksel. Ata kanë thënë se një marrëveshje e tillë është arritur në vitin 2011 në dialogun e Brukselit.