Shtëpia mediatike gjermane Deutsche Welle (DW) ka mohuar për portalin EWB (European Western Balkans) pretendimet e mediave proqeveritare serbe se është e përfshirë në protestat aktuale antiqeveritare.
“DW nuk përfaqëson asnjë këndvështrim politik në Serbi dhe për këtë arsye mban qëndrim neutral ndaj protestave paszgjedhore”, thuhet në një reagim me shkrim nga kjo media.
Me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të Beogradit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, përfaqësues të partive opozitare dhe qytetarë kanë protestuar tri ditë me radhë para selisë së Komisionit të Zgjedhjeve. Një tjetër protestë është paralajmëruar për të enjten. Qytetarët dhe politikanët e opozitës pohojnë se fitorja e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Beograd është rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve, siç dëshmojnë videot e shumta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe mediat që nga dita e zgjedhjeve, duke vërtetuar parregullsi të shumta zgjedhore.
Pothuajse të gjitha tabloidet pro-qeveritare serbe kishin në faqet e tyre të para artikuj që diskreditonin organizatorët e protestave, përfshirë grupin joformal “Studentët kundër dhunës”, i cili përbëhet nga të rinj dhe studentë të Universitetit të Beogradit.
DW tha për European Western Balkans se Akademia DW mbështet të rinjtë në fitimin e kompetencave mediatike dhe të mësojnë të shprehen përmes mediave në mënyrë që ata të jenë pjesë aktive e shoqërisë.
Vështirë se ka pasur ndonjë protestë antiqeveritare që nuk është paraqitur në mënyrë të ngjashme në mediat pro regjimit. Rrëfimet janë kryesisht të njëjta, se dikush nga Perëndimi po përpiqet ta shkatërrojë Serbinë me protesta.
Për këtë qëllim, pothuajse si rregull, synohen individë dhe organizata të shoqërisë civile që bashkëpunojnë në çfarëdo mënyre me organizatat joqeveritare perëndimore.
Kujtojmë se gjatë protestave masive antiqeveritare për shkak të hapjes së minierës së litiumit, qeveria serbe së bashku me mediat pranë saj e cilësuan protestën si komplot të të huajve kundër Serbisë.
Në atë kohë, lëvizja “Lëviz-ndrysho” ishte nën sulm. Edhe kryeministrja e asaj kohe, Ana Brnabiq i akuzoi qeveritë perëndimore dhe organizatat joqeveritare për organizimin dhe financimin e bllokimeve të rrugëve në të gjithë vendin. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadat e këtyre vendeve mohuan pretendimet e kryeministres.