E teksa prej ditësh të gjithë paralajmërojnë një sulm nga Irani ndaj Izraelit si kundërpërgjigje për raketat në konsullatën e vendosur në Siri, mediat në Tel Aviv raportojnë se Teherani ka lëshuar dhjetëra dronë drejt territorit izraelit, por pa dhënë specifikime.
Më herët, gjatë ditës po të njëjtat media raportuan se objektivi i Iranit në Izrael mund të ishin bazat ushtarake, teksa kryeministri Netanjahu ka thërritur në një mbledhje urgjente kabinetin e luftës.
Kreu i qeverisë më pas i është drejtuar popullit izraelite duke thënë se ushtria është gati të përballet me çdo kërcënim.
“Qytetarët izraelitë, në vitet e fundit, dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura, ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ne e vlerësojmë faktin që SHBA qëndron në krah të Izraelit, si dhe Britania e Madhe apo Franca. Kushdo që të na dëmtojë, ne do të godasim”, tha mes të tjerash Netanjahu.
Për shkak të retorikës dhe kërcënimit në rritje Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur më pranë Izraelit dhe anijet e luftës me qëllimin e vetëm për ta mbrojtur, teksa disa vende të rajonit si Jordania, kanë mbyllur përkohësisht dhe hapësirën ajrore.