Takimi i dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u mbajtur ende. Ka nisur në orën 16:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 17:00, dhe vetëm më pas do të ketë deklarime zyrtare të palëve.
Por mediat serbe, pretendojnë se kanë informata çfarë po ndodh në takim. “B92” shkruan se gjatë takimit, Kurti ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide të kryera ndaj shqiptarëve. Për çka sipas këtij mediumi ka marrë “përgjigje të ashpër” nga Vuçiqi.
Sipas B92, Kurti e ka akuzuar Serbinë për gjenocidin më 1878 dhe të fundit më 1999. Për të dytin, ky medium nuk ka dhënë vitin.
Në fakt, Qeveria Kurti ka paralajmëruar padi ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në luftën e fundit, më 1998\1999.