Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës që gjendet në komunën e Gjakovës, dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Shpronësimi i këtyre tokave dhe kalimi i tyre si pronë e Qeverisë së Kosovës do të mundësojë fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona.

Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për media të enjten ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj e Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, në të cilën do të ndërtohet poligone taktike sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në Aeroportin e Gjakovës, Mehaj ka thënë se planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës.

Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, po bëhet me qëllim rritjen e kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Investimet në këto projekte infrastrukturore do të bëhen në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këto projekte, Mehaj ka thënë se në mënyrë direkte do të investohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Bëhet fjalë për investime milionëshe për të garantuar që ushtria jonë do të ketë t’i gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimeve për kapacitete mbrojtëse. Këto poligone taktike do të jenë në funksion, jo vetëm për ushtrinë e Kosovës, por për të gjitha partnerët tanë strategjikë”, ka shpjeguar Mehaj.

Aeroporti i Gjakovës, pas luftës së viteve 1998/99, është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.

Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.

Në dhjetor të atij viti, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.

Gjashtë vjet më vonë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, aeroporti i është dhënë në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fakte për Aeroportin e Gjakovës

Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët – rreth 400 metra mbi nivelin e detit.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës i ka bërë atij një auditim në vitin 2016.

Në këtë aeroport është e instaluar kulla mobile e kontrollit të trafikut ajror, e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër; aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe mjetet për furnizimin e aeroplanëve me karburante.

Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1.799 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.

Pamje nga lart e Aeroportit të Gjakovës.

Terminali i aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkim dhe shkarkim dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.

Aeroporti i Gjakovës është formuar dhe funksionalizuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agro-kulturës. Në vitet ’90, ai ka pushuar së funksionuari deri në kohën kur është marrë nga KFOR-i.

Një video e re nga një kënd tjetër që tregon aeroplanin e “Air India” duke…
Një burrë britanik që pretendon se ka mbijetuar aksidentin në Ahmedabad ka përshkruar momentin kur…
LDK-ja, e cila refuzoi të bashkëqeverisë me LVV-në, dëshiron Qeveri të Unitetit me përfshirjen e…
Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë personazhi i ditës në mediat e vendit fqinj…
Një avion pasagjerësh i “Air India” u rrëzua në aeroportin e Ahmedabad, një qytet në…
Burime që folën për mediat amerikane pohuan se Izraeli planifikon të kryejë operacion ushtarak kundër…