Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur mirënjohjen për SHBA-në, Departamentin e Mbrojtjes dhe kontingjentin amerikan të KFOR-it, “për gjithçka që bënë për lirinë, pavarësinë, ndërtimin, zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë”.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë që ushtria Amerikane ishte dhe është garanti kryesor i sigurisë së vendit tonë, si dhe garanti kryesor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
“Gjithçka që është ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë në vendin tonë në përgjithësi dhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK në veçanti, i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj.Prandaj, edhe prej vizitës sime në Kampin Amerikan “Bondsteel”, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të lartë për SHBA-në, Departamentin e Mbrojtjes dhe kontingjentin amerikan të KFOR-it, për gjithçka që bënë për lirinë, pavarësinë, ndërtimin, zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë”.
“E në vizitën time, përveç falënderimit për mbështetjes dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, i shpreha falënderimin dhe mirënjohjen edhe për angazhimin e pazëvendësueshëm të fundit të njësisë së helikopterëve në shuarjen e zjarreve. Zoti e bekoftë SHBA-në dhe ushtrinë e saj! Zoti e bekoftë miqësinë dhe aleancën tonë të përjetshme”, ka thënë Mehaj.