Merdare/ Dy vetura me mjekë e infermierë serbë futen në Kosovë pa përcjellje të policisë, më pas ndalohen në Lluzhan

Dy vetura me targa të Serbisë, njëra e tipit “Mercedes” e tjetra “BMW” kanë hyrë përmes Merdares në territorin e Kosovës pa përcjelljen e Policisë.

Në të dy veturat kishte mjekë dhe infermierë serbë të cilët lejohen të futen në Kosovë për ta monitoruar situatën me COVID-19 në komunat e banuara me serbë, por çdo herë nën përcjelljen e policisë.

Ekipi i IndeksOnline ka qëndruar në këtë pikë kufitare për më shumë se pesë orë ku ka parë nga afër grupe të mjekëve serbë që kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Pas futjes së tyre, policia i ka bllokuar në Merdare pesë vetura tjera të cilat tentuan të futën në Kosovë pa përcjellje të policisë.

IndeksOnline ka mësuar se në Lullzhan të Podujevës, janë ndaluar nga policia pas pak minutash të dy veturat e para dhe të njëjtat do të qëndrojnë aty derisa të kompletohet i gjithë grupi i mjekëve dhe infermierëve të cilët më pas do të shpërndahen nëpër komunat përkatëse nën përcjelljen e policisë së Kosovës.