Merkel: Koronavirusi, sfida më e rëndë pas Luftës së Dytë Botërore

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti një fjalim në televizionin shtetëror drejtuar kombit ku deklaroi se situata e krijuar nga koronavirusi është “sfida më e madhe për Gjermaninë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Merkel iu bëri thirrje gjermanëve të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e marra, ndërkohë që numri i të infektuarve në vend ka arritur në 11 mijë, mes të cilëve dhe 28 viktima.

“Situata është serioze, iu lutem merreni seriozisht. Jo që nga bashkimi i Gjermanisë, apo që nga Lufta e Dytë Botërore, vendi ynë është përballur me një sfidë kaq të madhe që varet shumë nga solidariteti kolektiv”, u shpreh Merkel.

“Unë me të vërtetë besoj se do ta kalojmë me sukses këtë situatë nëse qytetarët kuptojnë me përpikmëri detyrat e tyre”, shtoi kancelarja.