Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të përvjelin mëngët dhe të arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë.
Merkel ka porositur Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin që marrëveshjen historike Kosovë-Serbi ta arrijnë gjatë këtij viti.
Klan Kosova mëson se shefja e qeverisë gjermane këtë mesazh ua ka thënë dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit gjatë komunikimit virtual, në kuadër të Samitit të BE-së, i cili është dashur të zhvillohet në Zagreb.
Kancelarja Merkel siç mëson Klani, ka porositur Thaçin dhe Vuçiqin që të marrin mësim nga marrëveshja e ndërkombëtare e Prespës, e cila është firmosur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Greqisë Aleksis Tsipras, ujdi e cila i dha fund mosmarrëveshjes dy dekadëshe lidhur me emrin e ri të Maqedonisë së Veriut.
Se marrëveshja duhet të arrihet gjatë këtij viti, ka porositur në shumë raste edhe emisari special i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell.
Nga ana tjetër, i deleguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kishte deklaruar se akordi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet këtë vit, eventualisht deri në mars të 2021.