Merr bonusin e ndihmës nga qeveria, por kërkon ta rikthejë, tregtari: Nuk më takon

Pronari i një dyqani në Paliano të Frosinones mori pagesën e ndihmës prej 600 euro të parashikuar në dekretin e qeverisë “Kuro Italinë” dhe kërkon që ta kthejë sepse dyqani i tij ka qenë i hapur gjatë periudhës së emergjencës së koronavirusit.

Tregtari tregon se e ka përfituar bonusin pa e ditur dhe se ai vetë nuk kishte aplikuar për një gjë të tillë. Në fakt ishte financieri i tij që kishte bërë automatikisht kërkesën, së bashku me emrat e klientëve të tjerë që përfaqësonte. Tani ai kërkon që ta kthejë këtë pagesë.

“Dua që t’i kthej këto para pasi nuk është e drejtë që t’i mbaj. Unë kam punuar pavarësisht emergjencës dhe dyqani nuk është mbyllur. Shitjet në të vërtetë kanë rënë, por ndodh. Unë nuk ja kërkova financierit tim këtë gjë. Këto para nuk më takojnë dhe dua t’ia kthej shtetin, por nuk e di si bëhet”, tregon pronari i dyqanit.