LAJME

Mes dhembjes së shprehur gjithandej, “Imam Meti” i lindur në Prishtinë festoi për vrasjen e policit gjerman nga një afgan, çfarë shkroi “Der Spiegel”

Një polic u sulmua me thikë të premtën në Manheim të Gjermanisë nga një 25-vjeçar i lindur në Afganistan. Kryeinspektori policor, 29-vjeçari Rouven L. vdiq më vonë, pa mundur t’u mbijetojë plagëve.

Sulmuesin, Gjermania e kishte strehuar që prej vitit 2014. Atje, ai kishte mundur edhe të arsimohej. Sulmi në mëngjes, në mes të qytetit, i la thellësisht të prekur dhe të trishtuar kolegët e policit të vrarë, por edhe qytetarët në përgjithësi, që panë mosmirënjohjen e shprehur në mënyrën më të tmerrshme.

Der Spiegel raportoi se vrasësi 25-vjeçar i cili i la të plagosur edhe disa persona të tjerë, kishte motiv islamik.

Në mes të dhembjes së shprehur gjithandej Gjermanisë dhe përtej saj, u shfaq një person i lindur në Prishtinë, i identifikuar si “Imam Meti”, i cili kishte zgjedhur ta festonte në TikTok këtë vrasje që ndodhi në një ngjarje të organizuar nga një grup kundër islamit politik.

Pas këtij sulmi, ky njeri bënte thirrje për vepra të ngjashme, në një video njëminutëshe të publikuar në rrjetin social. Në gjuhën gjermane, ai tha se vrasësi i policit meriton “nivelin më të lartë të parajsës” dhe e quan atë “shembull”.

Sipas informacioneve të Spiegel, autoritetet e sigurisë tashmë e kanë identifikuar autorin e videos, dhe se bëhej fjalë për Muhamed R., të lindur në vitin 1988 në Prishtinë.

35-vjeçari kishte qenë prej kohësh në syrin e autoriteteve. Sipas qarqeve të sigurisë, ai kishte shpërndarë edhe në të kaluarën video të shumta me përmbajtje islamiste dhe antisemite. Në fund të vitit të kaluar, për shembull, thuhet se ai kishte bërë thirrje që njerëzit të shkojnë dhe ta sulmojnë Izraelin.

Për më tepër, Muhamed R. i cili jetoi në Gjermani nga viti 1991 deri në 2019, është i njohur edhe për gjyqësorin atje: në vitin 2018, gjykata e rrethit të Hamburgut kishte lëshuar një urdhër penal kundër tij – për rezistencë ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit në lidhje me fyerje dhe lëndim trupor me dashje.

Disa vite më parë, autoritetet e Hamburgut kishin nisur procedurat e dëbimit kundër këtij personi. Mirëpo, 35-vjeçari, i cili mësohet se ka përdorur disa identitete të mbuluara, është fshehur dhe që atëherë është në kërkim nga autoritetet gjermane. Rrethet e sigurisë dyshojnë se ai ndodhet jashtë vendit.

Spiegel shkroi se ai e ka të ndaluar hyrjen në Zonën Schengen, ndërsa sipas gazetës gjermane, Bild, gjurmët ‘online’ të “Imam Metit” tregojnë se ai prej dy vitesh gjendet në Nishka Banjë të Serbisë dhe se nuk dihet ende përkatësia e tij etnike.

Duke shkruar për këtë rast, profesori i Filozofisë, Blerim Latifi e mori atë si shembull të mosmirënjohjes që shkon “mbi thelbin e egërsisë”.

“Kishte ikur nga atdheu i tij i rrënuar prej talebanëve. Për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë qoftë nga dhuna qoftë nga uria. Në Gjermani i kishin dhënë strehim, bukë dhe mundësi për të jetuar duke punuar. Por diçka nuk shkonte mirë me të.Ai e kishte lënë prapa Afganistanin gjeografik, por jo edhe Afganistanin mental. Këtë e kishte sjellur me vete në Gjermani. Dhe një ditë ky Afganistan mental ishte zgjuar brenda tij. Me gjithë tërbimin e mundshëm. Ai kishte rrëmbyer hanxharin dhe ishte sulur mbi njerëzit që paqësisht po protestonin në një shesh. Një polic( ky në foto), që thjesht po kryente detyrën e tij ligjore, humbi jetën nga goditjet fatale gjatë këtij sulmi. Bashkatdhetari i famshëm i këtij polici, Immanuel Kant, ka shkruar njëherë se “mosmirënjohja është thelbi i qenieve të poshtra”, por kjo historia e vrasësit afgan të policit gjerman shkon përtej thelbit të poshtërsisë. Ajo është histori mbi thelbin e egërsisë”, shkroi Latifi në një postim në Facebook.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

VIDEO/ Momenti kur aktivizohet sistemi mbrojtës ajror, sulmohet Ambasada Amerikane në Bagdad

Një sistem mbrojtës ajror u aktivizua pranë Ambasadës Amerikane në Bagdad të shtunën në mbrëmje,…

4 orë ago
  • LAJME

‘Çfarë do t’i them popullit?’ Shqetësimi i Ibrahim Rugovës që nuk takoi zyrtarë të lartë në ShBA

Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në…

9 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Kërcënoi me vdekje kandidatin shqiptar për kryetar të Cyrihut për shkak të qëndrimeve për Gazën, arrestohet shtetasi malazez

Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para…

11 orë ago
  • KRYESORE

Tronditje në Emiratet e Bashkuara Arabe: Raportohet se është goditur aeroporti i Dubait, fluturimet janë pezulluar menjëherë

Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin…

15 orë ago
  • KRYESORE

Sulmohen bazat amerikane! Natë ferri në Iran, mbi 80 avionë izraelitë mbi Teheran, bie aeroporti

Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…

17 orë ago
  • KRYESORE

“Washington Post”: Rusia po i ofron inteligjencës iraniane informata për vendndodhjen e forcave amerikane

Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…

1 ditë ago