Nga Kujtim Dobruna
Serbia mjeshtërisht po i shfrytëzon mungesën e ideve përmbajtjesore për zgjerimin e BE-së, inkompetencën dhe rraskapitjen e Brukselit në rrugën për t’iu ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë e të matshme integruese. Tani, duke përfituar nga injoranca dhe verbëria e politikës në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, ajo po e transformon gjeopolitikën dhe cenon stabilitetin, duke i hapur dyert për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në mbarë rajonin
Në realitet, ky është plani për faktorizimin e Serbisë si fuqi kryesore politike, ushtarake dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, e cila, duke qenë e lidhur ngushtë me Rusinë, Kinën dhe Turqinë, dhe duke përmirësuar dukshëm raportet me BE-në dhe ShBA-në, synon të etablohet si shtyllë kyç gjeostrategjike për rajonin, përreth së cilës detyrohen të gravitojnë satelitë si Shqipëria e Maqedonia Veriore e ndoshta më vonë edhe shtete të tjera të rajonit.
Serbia mjeshtërisht po i shfrytëzon mungesën e ideve përmbajtjesore për zgjerimin e BE-së, inkompetencën dhe rraskapitjen e Brukselit në rrugën për t’iu ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë e të matshme integruese. Tani, duke përfituar nga injoranca dhe verbëria e politikës në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, ajo po e transformon gjeopolitikën dhe cenon stabilitetin, duke i hapur dyert për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në mbarë rajonin.
Argumentimet për nevojën e krijimit të Jugosllavisë së re, projekt ky që nganjëherë emërtohet edhe si “EUgosllavi”, duke aluduar në modelin e BE-së, janë statike, të vobekta dhe të paqëndrueshme.
Në një rajon, i cili qe 14 vjet ka liberalizuar tregtinë përmes marrëveshjes CEFTA, duke hequr të gjitha barrierat tregtare, argumenti kryesor për nevojën e krijimit të Unionit Doganor, të ripagëzuar në Minishengen e së voni në Open Balkans, është ai i presidentit serb Vuçiq, që “kamionët me mallra të mos presin më nga njëzet orë në kufi dhe vendet anëtare të afrohen më shumë me njëri-tjetrin”.
Por, përpara se të bëjmë një analizë më të thellë të kotësisë ekonomike dhe tregtare të këtij plani, të shohim së pari historinë e metamorfozës së kësaj ideje dhe të definojmë disa elemente kyç.
Pak histori
Ideja e shtrirjes së ndikimit jugosllav (lexo serb) në rajon përmes formave të bashkëpunimit ekonomik, nuk është e re. Si e tillë, ajo nuk ka të bëjë me përgatitjen e rajonit për integrim në BE.
Në shtator 1914, kryeministri serb Nikola Pashiq dhe Esad Pashë Toptani nënshkruajnë në Nish një marrëveshje sekrete pesëmbëdhjetëpikëshe, e cila parashihte krijimin e një unioni doganor mes Serbisë dhe Shqipërisë, unifikimin e ushtrive dhe politikës së jashtme, ndërtimin e hekurudhës nga Serbia në Durrës, për t’i dhënë qasje Serbisë në Adriatik, dhe krijimin e një unioni shtetëror të mëvonshëm, pasi të jenë demarkuar kufijtë. Realizimi i kësaj marrëveshjeje u pamundësua nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore.
Më 27 nëntor 1946 Shqipëria dhe Jugosllavia nënshkruajnë në Beograd një traktat për Unionin Doganor dhe barazimin e monedhave mes dy shteteve, me qëllim të – siç thuhej – “zhdukjes së barrierave doganore, mëkëmbjes dhe rindërtimit ekonomik në baza të shëndosha”. Ky proces dështon për shkak të prishjes së raporteve mes Titos dhe Hoxhës më 1948, me ç’rast Shqipëria komuniste shpall të pavlefshëm traktatin për Union Doganor.
Më 2017, ish-kryeministri serb, tani president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, rilanson idenë e krijimit të Unionit Doganor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në tetor 2019, Vuçiqi inicion takimin trepalësh në mes të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, të mbajtur në Novi-Sad, ku vendoset për krijimin e Minishengenit në mes të këtyre tri vendeve. Një muaj më vonë, në nëntor 2019, mbahet në Ohër takimi i radhës i treshes, e në dhjetor të po të njëjtit vit edhe në Durrës, me synimin kryesor krijimin e tregut të përbashkët deri në fund të vitit 2020 sipas parimit të katër lirive të BE-së.
Më 4 shtator 2020 Kosova zotohet në Washington se do të bëhet pjesë e Minischengenit, pa specifikuar kushte dhe procese.
Në korrik 2021 zyrtarizohet Trelateralja Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut me nënshkrimin e tri marrëveshjeve për qarkullim të lirë të mallrave dhe shërbimeve, qasje në treg të punës dhe bashkëpunim në rastin e katastrofave natyrore. Marrëveshja parasheh heqjen e kontrolleve kufitare mes te tri vendeve me fillim nga janari 2023.
Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, duke iu druajtur hegjemonisë serbe, nuk bëhen pjesë e këtij procesi, duke ruajtur fokusin në integrimet evropiane dhe në procesin e Berlinit.
Çka janë katër liritë?
Emërtimi “katër liri” vjen nga marrëveshja e BE-së për krijimin e tregut të brendshëm, pjesë e të cilit janë të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Brenda tregut të brendshëm të BE-së ekzistojnë katër liri themelore ekonomike, të cilat mundësojnë që mallrat, shërbimet dhe kapitali të mund të tregtohen pa kufizime dhe njerëzit të punojnë kudo.
Lëvizja e lirë e njerëzve – Të gjithë qytetarët e shteteve anëtare të BE-së mund të lëvizin lirshëm, të jetojnë dhe punojnë në çdo vend të BE-së.
Lëvizja e lirë e mallrave – Nuk ka kontrolle kufitare, tarifa ose kufizime të tjera tregtare për mallrat brenda BE-së.
Lëvizja e lirë e shërbimeve – Shtetasit e BE-së mund të ofrojnë shërbimet e tyre në çdo vend të BE-së. Për shembull, një elektricist që ka përfunduar shkollimin në Austri mund të hapë një biznes të shërbimeve elektrike në Gjermani pa pasur nevojë të jetojë atje vetë.
Lëvizja e lirë e kapitalit – Të gjithë qytetarët e BE-së janë të lirë të zgjedhin vendin e BE-së ku duan t’i investojnë paratë e tyre. Transferimet në një vend tjetër të BE-së nuk guxojnë të jenë më të shtrenjta se transferimet brenda vendit.
Çka është Unioni Doganor?
Në shkencën ekonomike Unioni Doganor njihet si një formë e integrimit ekonomik me qëllim të rritjes së efiçiencës ekonomike dhe thellimit të raporteve politike e kulturore në mes të shteteve anëtare. Shtetet anëtare bashkohen fillimisht në një zonë të vetme doganore, tregtia në mes tyre është e lirë dhe tarifat e kufizimet nuk aplikohen mes vete, si për shembull në rastin e lirisë së lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve në BE. Efekti kryesor është se çmimet e mallrave të tregtuara mes shteteve anëtare lirohen. Më pas tarifat dhe kufizimet aplikohen ndaj shteteve që nuk janë anëtare, përmes krijimit të një dogane të përbashkët dhe në fund të hyrat ndahen mes shteteve sipas një çelësi të definuar paraprakisht. Përderisa hapi i parë është i natyrës ekonomike, i dyti dhe i treti janë hapa kryekëput politikë, gjë që e bën të pamundshëm realizimin e Unionit Doganor në Trelateralen Serbi-Maqedoni e Veriut-Shqipëri.