Miliarderi Musk: S’kam shtëpi, fle në krevatet e miqve

Themeluesi i Teslas, Elon Musk, ka deklaruar se nuk ka shtëpi dhe se fle në shtëpitë e miqve, kur punon në selitë e ndryshme të kompanisë nëpër botë.

Njeriu më i pasur në botë, i cilësuar i tillë nga revista “Forbes”, e ka dhënë këtë deklaratë gjatë një interviste në “Ted Talk”, raportoi “The Independent” të martën.

“Nuk kam shtëpi aktualisht. Në fakt rri në shtëpitë e miqve. Kur udhëtoj në Bay Area, ku janë shumica e inxhinierëve të Teslas, fle në krevatet rezervë të miqve”, ka thënë Musk.

Musk po ashtu ka thënë se nuk posedon jaht dhe se nuk bën pushime, duke shtuar se edhe konsumi i tij personal është i ulët.

Duke folur për jetën e tij prej miliarderi, Musk ka thënë se përjashtim këtu bën vetëm aeroplani i tij, mirëpo ka thënë se nëse nuk do ta përdorte edhe atë, do të kishte më pak kohë në dispozicion për të punuar.

Musk është vënë në qendër të vëmendjes së fundmi pas ofertës për ta blerë platformën online “Twitter”. Ai ka ofruar më shumë se 43 miliardë dollarë për Twitterin, ku tashmë i ka blerë 9.1 për qind të aksioneve.

Twitteri ka njoftuar të premten se bordi i drejtorëve ka refuzuar ofertën e Muskut për të blerë kompaninë.